Bota

Vazhdojnë protestat në Izrael pas ndryshimeve në gjyqësor!

Me flamuj të Izraelit, me mijëra izraelitë vazhduan protestat në mbarë vendin edhe dje në mbrëmje, pas një jave trazirash të shkaktuara nga miratimi i një pakete ligjore që kufizon pushtetin e Gjykatës së Lartë në shtetin hebraik.

Nga kodrat e Galilesë veriore deri te rrugët që përshkojnë qendrën financiare të Tel Avivit, protestuesit, duke u rënë daulleve dhe borive dolën në rrugë gjatë mbrëmjes duke sfiduar temperaturat e larta të kësaj vere.

Ndryshimet në gjyqësor të qeverisë së djathtë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, pjesa e parë e së cilave u miratua këtë fillimjave, ka krijuar një krizë të paprecedentë dhe një përçarje të thellë shoqërore. Kjo është java e 30-të e protestave.

Ndër të tjera, plani i qeverisë ka tronditur përkushtimin e rezervistëve të ushtrisë, ndërsa ka nxitur dhe paralajmërime të rrepta për pasojat ekonomike.

Disa organizata i bënë thirrje Gjykatës së Lartë për të shfuqizuar ligjin e ri, i cili i heq autoritetin vetë kësaj gjykate për të anuluar ato që i konsideron vendime jo të arsyeshme nga qeveria dhe ministrat. Gjykata tha se do të dëgjojë argumentet në muajin shtator, duke krijuar mundësinë për një përballje kushtetuese.

Nga tjetër, shefi i qeverisë, Netanyahu është përpjekur të minimizojë ndikimin e ligjit të ri, i miratuar pas disa ditësh debati të ashpër e me tone të larta në parlament, në një votim që u bojkotua nga opozita. Ky është një nga disa ndryshimet që qeveria e tij thotë se janë të nevojshme për të balancuar degët e ekzekutivit.

Kritikët thonë se ai po kërcënon parimet demokratike të Izraelit, si dhe pavarësinë e gjykatave, duke nënvizuar se kjo mund të ketë lidhje edhe me një çështje me dyshimin për korrupsion me të cilin po përballet vetë  Netanyahu. Ai e mohon këtë dhe po ashtu ka hedhur poshtë akuzën për korrupsion kundër tij.