Botë e Çuditshme Lifestyle

Zbulohet “Oazi i Jetës” në Oqeanin Indian, aty ku peshkaqenët e uritur krijojnë ‘kurthe’!

Së fundmi, një ekosistem i ri është zbuluar 500 metra në thellësi të Oqeanit Indian, aty ku peshkaqenët e uritur kanë krijuar kurthin ideal për të drejtuar ushqimin e tyre me karkaleca. Shkencëtarët e kanë quajtur atë si “Zona e Kurthit”, ndërsa e kanë përshkruar atë si një “oaz të jetës” në mes të një “shkretëtire” të madhe oqeanike poshtë ishujve Maldive.

Grabitqarët e oqeanit, si peshkaqenët apo edhe peshq të lloje të ndryshme, grumbullohen në këtë zonë për t’u ushqyer me organizma të vegjël, të cilët njihen si mikronekton. Këta organizma detarë arrijnë të notojnë pavarësisht rrymave oqeanike. Ata ngjiten në sipërfaqe të oqeanit gjatë natës, ndërsa zhyten sërish në thellësi në agim. Profesori Alex Rogers, i cili ka kaluar mbi 30 orë nën ujë duke vëzhguar “Zonën e Kurthit” tha se:

Janë të gjitha shenjat për një ekosistem të ri. Kjo zonë krijon një oaz jete në Maldive dhe ka shumë gjasa të jetë edhe në shumë ishuj të tjerë oqeanikë dhe në shpatet e kontinenteve.

Gjithçka është mundësuar në bazë të misionit “Nekton Maldives”, i cili mund të eksplorojë deri në 1 mijë metra thellësi. Turizmi dhe peshkimi qëndrojnë në zemër të ekonomisë Maldiviane, kështu që të kuptuarit pse grumbullohen peshqit në këtë zonë është me rëndësi të madhe. Në fund të fundit, të dhënat nga ky hulumtim do të përdoren për të informuar krijimin e zonave detare të mbrojtura që do të sigurojnë që ekosistemi të vazhdojë të mbijetojë dhe të lulëzojë.

Presidenti i Maldiveve Ibrahim Mohamed Solih tha se:

Zbulimi i ‘Zonës së Kurthit’ dhe oazit të jetës në thellësitë që rrethojnë Maldivet na ofron njohuri të reja kritike që mbështesin më tej angazhimet tona për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të oqeanit dhe pothuajse me siguri mbështesin peshkimin dhe turizmin.