Bota

Zelensky apelon për më shumë armë para takimit në Gjermani!

Përpara takimit të nivelit të lartë të Grupit të Kontaktit të Ukrainës në bazën ajrore amerikane në bazën ajrore Ramstein në Gjermani, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu ka bërë thirrje aleatëve të vendit për më shumë dërgesa armësh. Në një videomesazh, vuri në dukje se dërgesat e mjaftueshme për vijën e parë, pajisjet për brigadat dhe armët me rreze të gjatë do të ishin të nevojshme në muajt e ardhshëm për të ndaluar Rusinë e për ta detyruar atë drejt paqes.

Ne do të përpiqemi të bindim partnerët tanë në takimin e ardhshëm në Ramstein për nevojën urgjente për përforcim të konsiderueshëm të aftësive dhe pozicioneve tona pikërisht tani, gjatë këtyre muajve të vjeshtës. Ne i ftojmë partnerët tanë të përcaktojnë se si e parashikojnë fundin e kësaj lufte, vendin e Ukrainës në arkitekturën globale të sigurisë dhe hapat e përbashkët që mund ta drejtojnë këtë luftë drejt fundit.

Për herë të parë, liderët e vendeve që mbështesin Ukrainën planifikojnë të takohen në Ramstein, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, i cili ka bërë planin të vizitonte Gjermaninë në fund të kësaj jave. Në të kaluarën, baza ajrore amerikane në shtetin Rheinland-Pfalz ishte kryesisht vendi i takimit për ministrat e Mbrojtjes të vendeve.

Zelensky tha se mbledhja duhej të fokusohej gjithashtu në investimet në prodhimin e armëve ukrainase, kryesisht në prodhimin e dronëve dhe sistemeve të luftës elektronike. Po ashtu, ai njoftoi se do të paraqiste “planin e tij të fitores” në takim për ato vende që mund të forcojnë Ukrainën e të afrojnë paqen.

Deri tani, plani, të cilin Zelensky e ka promovuar vazhdimisht prej disa muajsh, nuk bëhet publik. Por është e qartë se ndër të tjera, vendi pret leje për të përdorur armë me rreze të gjatë brenda territorit rus, si dhe një ftesë për anëtarësim në NATO nga Perëndimi.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se sot në mëngjes, ushtria e saj zmbrapsi një sulm ukrainas me dronë në rajonin kufitar Belgorod. Ky dikaster raportoi se kundërajrorët rrëzuan 16 mjete ajrore pa pilotë (dronë). Në një postim në Telegram theksoi:

Katërmbëdhjetë dronë u rrëzuan mbi rajonin e Belgorodit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën, ndërsa dy të tjerët u shkatërruan pranë bregdetit rus në Detin e Zi.

Një ditë më parë, dronët ukrainas goditën një depo nafte në Feodosia, më e madhja në Gadishullin e pushtuar të Krimesë, duke shkaktuar zjarr dhe detyruar qindra banorë të evakuohen. Krimea u aneksua nga Rusia në vitin 2014 ndërsa Kievi synon që ta rimarrë, teksa prej 17 muajve po lufton kundër pushtimit të plotë rus.