Aktualitet

Zgjedhjet për kryebashkiakun e Rrogozhinës, numërohen 15 nga 54 kuti/Kryeson Memolla!

Në Rrogozhinë po vijon numërimi i votave, një ditë pas zgjedhjeve për kreun e bashkisë, të përsëritura për shkak të shpalljes së pavlefshëm të rezultatit të vendoreve të 14 Majit. Deri tani janë numëruar 15 nga 54 kuti e kryeson Edison Memolla, kandidati i Partisë Socialiste. Gara zhvillohet mes tij e rivalit nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.

Asnjë kuti nuk rezultoi e parregullt ndërsa procesi kaloi i qetë. Pak para mesnatës, me një postim në rrjetet sociale, Erion Veliaj si drejtuesi politik i PS-së për Qarkun Tiranë shkroi për “pengimin të numërimit të votave në Rrogozhinë nga përfaqësuesit e çiftit Berisha-Meta”.

Vetë kandidatët Edison Memolla e Shkëlqim Hoxha po ndjekin nga afër procesin e numërimit në palestrën e një shkolle. Në zgjedhjet e djeshme, pjesëmarrja u vlerësua më e lartë se në të muajit maj.

Deri në orën 18:00, kjo pjesëmarrje ka qenë 35.5%, pra më e lartë se në votimet e 14 Majit kur rezultoi 32.12%, për të njëjtën orë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi ripërsëritjen e votimeve pasi rezultati i 14 Majit u shpall i pavlefshëm. Shkak u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve vetëm 21 vota, ndërsa të burgosur numëroheshin më shumë se 100. Lokalet e 14 Majit u fituan nga Edison Memolla.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkoi të respektohej heshtja zgjedhore e solemniteti i ditës së votimit.  Kandidatëve dhe përfaqësuesve politikë, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili dje ishte në Rrogozhinë, iu bëri thirrje të shmangin deklarimet me përmbajtje zgjedhore. E ndërsa pati një incident lidhur me fotografimin e votës, Celibashi kujtoi se përbën shkelje penale.

Në një qendër në Rrogozhinë u ndërpre për 30 minuta procesi i votimit. Shkak u bë fotografimi i votave nga një grua dhe bashkëshorti i saj. Që të dy u evidentuan nga komisionerët, si dhe u mbajt proces-verbal lidhur me rastin. Po ashtu pati debate mes vëzhguesve.