Bota Music

Zyrtare, Eurovision 2023 do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar!

Vitin e ardhshëm, Festivali Europian i Këngës, Eurovision do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, vend që është përmendur si opsion kohët e fundit. Përfundimisht, organizatorët e këtij eventi të rëndësishëm muzikor dhe ku në maj 2021, Shqipëria u përfaqësua me këngën “Sekret” të Ronela Hajatit, vendosën që festivali të mos zhvillohet në shtetin fitues, Ukrainë, për shkak të pushtimit rus që tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë.

Mbretëria e Bashkuara u rendit në vendin e dytë në Eurovision-in e këtij viti, ndaj organizatorët nisën bisedimet për zhvillimin e tij në këtë shtet, më 2023-shin.

Ende nuk dihet se në cilin qytet do të mbahet Eurovision-i, por Glasgow dhe Manchester kanë shprehur interesim. Vlerësohet se Mbretëria e Bashkuar ka një sërë sallash mjaft të përshtatshme për mbajtjen e Eurosong-ut më 2023-shin. Gjithashtu, disponon hapësira akomoduese e lidhje të mira sa i përket transportit ndërkombëtar.

Po ashtu, në garë për të qenë mikpritës të Eurovision-it mund të jenë edhe qytete të tjera, përfshirë Leeds, Liverpool, Newcastle, Birmingham, Aberdeen, Londër, Brighton, Belfast e Cardiff.

Qytetet që duan të jenë mikpritës të festivalit duhet të dëshmojnë se kanë infrastrukturën e duhur për t’u mbajtur Eurovision-i. Në Eurovision-in që u zhvillua në Itali në maj të këtij viti, fitues u zgjodh grupi nga Ukraina, Kalush Orchestra me këngën Stefania, ndërsa Sam Ryder nga Mbretëria e Bashkuar doli në vendin e dytë.