Një zjarr i madh vijon aktiv në një kompleks banimi në Hong Kong, ndërsa numri i viktimave është rritur në të paktën 55 persona. Rreth 300 të tjerë konsiderohen të zhdukur.
Zjarri u shkaktua nga neglizhenca e një firme ndërtuese që përdori materiale të pasigurta.
24 orë pasi nisi, zjarrfikësit ende nuk po mund të arrijnë te banorët që mund të jenë të bllokuar në katet e larta të kompleksit Wang Fuk Court. Kjo për shkak të nxehtësisë së madhe dhe shtëllungave të tymit.
Ndërtesat ishin të mbuluara me rrjeta mbrojtëse dhe plastikë që mund të mos i plotësojnë standardet e sigurisë nga zjarri. Disa dritare të paprekura nga flakët ishin të mbyllura me një material prej shkume, i vendosur nga kompania e ndërtimit që po kryente punime të mirëmbajtjes prej një viti.
Kemi arsye të besojmë se përgjegjësit e kompanisë kanë qenë jashtëzakonisht neglizhentë, gjë që çoi në këtë aksident dhe bëri që zjarri të përhapej në mënyrë të pakontrolluar, duke shkaktuar viktima të shumta, tha Eileen Chung nga Policia e Hong Kongut.
Tre persona nga kompania e ndërtimit, dy drejtorë dhe një konsulent i inxhinierisë, u arrestuan nën dyshime për vrasje nga pakujdesia në lidhje me zjarrin. Sot në mëngjes, oficerët e policisë kontrolluan kompaninë e mirëmbajtjes së ndërtesave të kompleksit të banimit, duke sekuestruar dokumente që përmendnin Wang Fuk Court, siç raportuan mediat lokale.
Kompleksi i banesave në qarkun verior Tai Po ka 2 mijë apartamente në tetë blloqe, ku jetojnë më shumë se 4 mijë e 600 persona, në një qytet që po përballet me mungesë kronike të banimit të përballueshëm.
Po sot në mëngjes, autoritetet thanë se kanë vënë nën kontroll zjarrin në katër nga shtatë blloqet, ndërsa operacionet vazhdojnë në tri të tjera. Pamjet nga vendngjarja, rreth 22 orë pasi nisi zjarri, treguan se flakët po vazhdojnë në të paktën dy kulla 32-katëshe që janë të mbështjella me një rrjet të gjelbër ndërtimi e me skelë prej bambuje.
Skela prej bambuje është një element tradicional i arkitekturës kineze, por ka nisur të hiqet gradualisht në Hong Kong që nga muaji mars dhe kjo për arsye sigurie.
Një zjarrfikës është mes 55 viktimave, ndërsa 45 persona janë në spital, në gjendje kritike.