Vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë njoftuan këtë të diele se janë zotuar të vënë në dispozicion 400 milionë fuçi naftë për të ndihmuar në lehtësimin e ndërprerjeve të tregtisë së naftës për shkak të luftës me Iranin.
Shtetet e Bashkuara deri më tani janë zotuar të lirojnë 172 milionë fuçi, përveç rezervave të tjera nga 31 vendet e tjera anëtare të agjencisë. Këto fuçi do të lirohen deri në fund të marsit, së bashku me rezervat e kombinuara të qeverisë dhe industrisë të premtuara nga Evropa prej 107.5 milionë fuçish. Vendet anëtare të Azi-Oqeanisë do të lirojnë rezervat e tyre menjëherë, sipas agjencisë.
“Vendet e IEA-s do të vënë në dispozicion 400 milionë fuçi naftë… në treg për të kompensuar furnizimin e humbur për shkak të mbylljes efektive të Ngushticës (së Hormuzit)”, tha të mërkurën Drejtori Ekzekutiv i IEA-s, Fatih Birol.
Veprimi kolektiv është lirimi më i madh i tillë i emergjencës në histori. Vetëm pesë veprime kolektive janë ndërmarrë në të kaluarën, sipas agjencisë – dy prej të cilave ishin në vitin 2022, kur çmimet e naftës u rritën për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Çmimet e naftës janë rritur mbi 100 dollarë për fuçi javën e kaluar, ndërsa lufta me Iranin, e udhëhequr nga SHBA-të dhe Izraeli, ndaloi në mënyrë efektive dërgesat përmes Ngushticës së Hormuzit që nga 28 shkurti. Rreth 20% e furnizimeve globale të naftës në botë rrjedhin përmes ngushticës.