Gjykata e Lartë sot pritet të shprehet për një ndryshim të vendimit të saj unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit arrest në burg dhe kohëzgjatjen e paraburgimit të personave në pritje të gjykimit.
I pyetur në lidhje me këtë çështje, kryetari demokrat, Sali Berisha, foli jashtë mjediseve të Prokurorisë së Posaçme ku u paraqit në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim për paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha tha se kjo po ndodh për të lehtësuar eksponentët e asaj që e quan “parti e krimit”.
Do të zbatojë urdhrat. Sadushi është një vegël e damkosur e Edi Ramës dhe e tëra kjo ndodh për të lehtësuar eksponentët e partisë së krimit. Nuk ka asgjë të përbashkët me qytetarët. Është e tëra një lehtësim që bëhet për eksponentët e Partisë së Krimit.
Gjatë fjalës para gazetarëve, Berisha përsëriti akuzat ndaj prokurorit të çështjes së tij, Altin Dumani, në lidhje me deklarimin e pasurisë për një apartament në Tiranë.
Kreu demokrat tha se ka një mospërputhje ne deklarimin e Dumanit e shtoi se apartamentin e ka blerë te një person i dënuar më parë për mashtrime, për shitje të apartamenteve nga dy herë.
Berisha shtoi se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Altin Dumanit, duke njoftuar se do të ngrejë padi.