Aktualitet Politikë

Vihet nën hetim Lefter Maliqi, kandidati i koalicionit Berisha-Meta në Kuçovë pasi kanosi 4 persona brenda një lokali!

Ndërsa ora 07:00 e mëngjesit shënon hapjen e qendrave të votimit dhe disa qytetarë me të drejtë vote i janë drejtuar atyre për të votuar në këto zgjedhje vendore, shënohen dhe problematikat e para.

Teksa nuk kanë qenë të pakta këto të fundit, vetëm pak më parë kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi është vënë nën hetim nga policia.

Maliqi ka kanosur dhe fyer 4 persona, punonjës të një firme ndërtimi të cilët ndodheshin në një lokal të qytetit. Gjithashtu ka nisur hetimi për shoqëruesin e tij M.H, 48 vjeç.

Nga 5213 QV deri më tani në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë raportuar për pjesëmarrjen 2468 qendra votimi. Pjesëmarrja deri në orën 8:00 ishte  1.29%.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ende një raportim lidhur me problematikat e pajisjeve të identifikimit dhe për numrin e qendrave të votimit ku procesi ka nisur me vonesë dhe në disa vende nuk ka nisur ende.

Në një tjetër problematikë, u mësua për një rast dhune ndaj kandidatit të PS-së në Kolonjë, goditet kandidati i Partisë Socialiste, Erion Isai. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të mbrëmjes nga një simpatizant i PD pranë fshatit Qinam. Isai ka qenë duke ecur me mjetin e tij kur e kanë ndalur në rrugë dhe është goditur. Nuk ka pasur ndërhyrje nga shoqëruesit e Isait por është njoftuar policia e cila ka shoqëruar agresorin. Eshte shoqeruar nga policia Esmerald Kacolli autori.