Aktualitet

Ekskluzivisht për TAR/ Çfarë ndodhi dhe kush u arrestua në incidentin me kandidatin e PS, Erion Isai?

Ndërsa ora 07:00 e mëngjesit shënon hapjen e qendrave të votimit dhe disa qytetarë me të drejtë vote i janë drejtuar atyre për të votuar në këto zgjedhje vendore, shënohen dhe problematikat e para.

Në Kolonjë është goditur kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë, Erion Isai. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të mbrëmjes nga një simpatizant i PD pranë fshatit Qinam. Isai ka qenë duke ecur me mjetin e tij kur e kanë ndalur në rrugë dhe është goditur. Në një lidhje telefonike ishte Doriela Çule e cila na zbuloi më shumë lidhur me këtë ngjarje.

Janë shoqëruar persona të tjerë. Kishin informacion se Isai po bënte takime, e kanë akuzuar se ka qenë duke shpërndarë lek, por gjithsesi kjo nuk konfirmohet nga policia. Sipas pretendimeve ka patur vetëm shtyerje mes palëve, por policia pas identifikimeve ka treguar se personi që akuzohet ka goditur në fytyrë Erion Isain është Esmeraldo Kacolli.

Në një tjetër problematikë, gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu në një raportim live për të ndjekur votimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në një qendër votimi në mjediset e shkollës “Dëshmorët e Lirisë” në Tiranë konfirmoi se në disa vendvotime, përfshirë atë të Celibashit nuk punonte PEI, pajisja e identifikimit elektronik.

Në një prononcim për gazetarin Veliu, Celibashi tha se ky është një problem që do të zgjidhet shpejt. Kamerat e TCH ofruan pamje të momentit kur Celibashi po asistonte operatorin atje për të mundësuar vënien në punë të PEI-t, pra lidhjen me pajisjen e identifikimit.