Aktualitet

Vijon aktiv zjarri në Akërni të Vlorës!

Zjarri i rënë në pyllin me pisha në zonën e hidrovorit në fshatin Akërni të Vlorës vijon të jetë aktiv. Që prej orës 05:00, zjarrfikës dhe Forca të Armatosura janë rikthyer në terren për të luftuar flakët, që kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore. Një ditë më parë, situata u përshkallëzua në nivel kritik, pasi erërat e forta favorizuan përhapjen e zjarrit në zona të gjera, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen vetëm me mjete tokësore.

Edhe terreni i vështirë ka penguar hyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke e rënduar situatën. Për herë të parë në këtë vatër u angazhua edhe ndërhyrja ajrore. Në vendngjarje shkuan katër helikopterë, dy të Forcave të Armatosura shqiptare dhe dy të tjerë të dërguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe e që asistuan në përpjekjet për shuarjen e flakëve nga ajri.

Autoritetet në terren theksojnë se mbajtja nën kontroll e zjarrit është prioritet, ndërsa rreziku për përhapje të mëtejshme mbetet i lartë për shkak të sipërfaqes së madhe të pyllit dhe kushteve atmosferike.

Ministria e Mbrojtjes informoi mbrëmjen e djeshme për situatën e zjarreve në vend:

Sipas Qendrës Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile (QKOEC) në AKMC, prej orës 09:00, deri në orën 16:30, datë 25.08.2025, janë raportuar 10 vatra zjarri nga të cilat 6 janë shuar dhe 4 të tjera janë aktive.

Në Pishë-Poro të Vlorës, zjarri i rënë në një terren ranor në fshatin Delisuf të njësisë administrative Novoselë është favorizuar nga era dhe ka marrë një shtrirje të madhe në drejtim të fshatit Pishë-Poro.

Terreni ranor nuk mundëson operimin me mjete zjarrfikëse edhe pse 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë, 4 forca AdZM dhe 10 forca bashkiake ndodhen në zonë.

Në mbështetje të forcave në terren kanë fluturuar nga Baza e Kuçovës katër helikopterë, dy të Forcës Ajrore shqiptare dhe dy të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Vatrat e tjera aktive janë ato në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik të bashkisë Kolonjë, ku zjarri është riaktivizuar ditën e sotme në afërsi të piramidës 15. Në terren janë të angazhuar forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë-Helmës, njësia administrative Pezë, bashkia Tiranë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen në gatishmëri të pandërprerë 24 orë zjarrfikësit lokalë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vetë vatrës së zjarrit.

Në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Në vendngjarje po operojnë 3 grupe shërbimi nga MZSH Skrapar. Situata raportohet nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

Vatrat e izoluara plotësisht raportohen: Në fshatin Krenze, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës; Në fshatin Reç, njësia administrative Shkrel, bashkia Malësi e Madhe; Në fshatin Bisht-Kamëz, njësia administrative Katund i Ri, bashkia Durrës; Në fshatin Ishull-Shëngjin, njësia administrative Shëngjin, bashkia Lezhë; Në Lagjen 18, Rajoni Nr. 1, bashkia Korçë; Në zonën e Shkozës, njësia administrative Nr. 1, bashkia Tiranë.