Aktualitet

Viktimë e përmbytjeve, familjarët e 54-vjeçarit hedhin poshtë Bashkinë Durrës: Humbi jetën kur punonte, kemi video!

Pasi nga përmbytjet në Durrës, më 6 janar humbi jetën punonjësi i pastrimit Astrit Hysenaj, familjarët e 54 vjeçarit kundërshtojnë pretendimet e Bashkisë Durrës se viktima kishte lënë punën herët për shkak të motit të keq dhe po kthehej në banesë kur u mor nga rrjedha e ujit dhe ra në kanal.

Sipas tyre, Astriti kishte shkuar në punë në orën 05:30 të mëngjesit, si çdo ditë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.

Daja u nis në punë më 05.30, si normalisht. Familja tentoi ta ndalojë për shkak të situatës, por ai shkoi. Shqetësimi ynë nisi pasi nuk u kthye në punë dhe bëmë denoncimin. Pamë nga kamerat se deri në 08.25 ka qenë duke punuar te “Mbikalimi i Plepave”, u shpreh mbesa e të ndjerit, Klodiana Bërsheni.

Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse diku ka ndonjë pamje filmike pas kësaj ore, le t’i vënë në dispozicion, tha Osman Hysenaj, djali i xhaxhait të viktimës.

Sipas të afërmve, kanali ku Astrit Hysenaj u gjet pa jetë, ndodhet pranë vendit ku u pa për herë të fundit.

Kanali ku ai ra, është pranë vendit ku u pa për herë të fundit dhe rrjedha e ujit, kur të merr, të nxjerr aty ku u gjet.

Nuk mund të përbaltet figura e tij duke thënë se nuk ka qenë në punë. Kërkojmë respekt për figurën e tij, shtoi ndër të tjera mbesa e Hysenajt.

Pamjet filmike u vunë në dispozicion të policisë për hetime të mëtejshme. Të afërmit kërkojnë edhe mbështetje ekonomike për familjen e viktimës, pasi Astrit Hysenaj ishte i vetmi që siguronte të ardhura. Në xhepin e tij, policia gjeti 10 mijë lekë të vjetra.

Ata theksojnë se nuk fajësojnë askënd për ngjarjen e rëndë, por kategorikisht refuzojnë pretendimin se ai nuk ndodhej në punë në momentin e fatkeqësisë, duke e përshkruar Astrit Hysenajn si njeri dhe punonjës korrekt, të përkushtuar ndaj detyrës.