U mbajt këtë mbrëmje protesta e tretë radhazi para Bashkisë së Durrësit, ku u mblodhën dhjetëra qytetarë që akuzojnë pushtetin vendor dhe kryebashkiaken Emirjana Sako për mosmarrjen e masave të nevojshme me qëllim shmangien e përmbytjes së qytetit, problem që ndodh sa herë ka reshje të dendura dhe periodike shiu.
Protestuesit kërkojnë vlerësimin e saktë dhe të plotë të dëmeve që u janë shkaktuar nga përmbytjet dhe menjëherë pas këtij procesi, shpërndarjen e dëmshpërblimit të merituar.
LEXO EDHE: Moti i keq, bashkia e Durrësit thirrje qytetarëve: Shmangni lëvizjet e panevojshme
Tubimi me dhjetëra pjesëmarrës u udhëhoq nga eksponentë të Partisë Demokratike dhe asaj të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”. Këta të fundit pretenduan se patronazhistë të Partisë Socialiste kanë kërcënuar qytetarët që morën pjesë në protestën e djeshme, duke u thënë se nëse do të dalin sërish në shesh, nuk do të dëmshpërblehen për dëmet që e shkaktuara nga uji që përgjatë ditëve të fundit u ka pushtuar tokat, bizneset dhe shtëpitë.
Ndryshe nga tubimi i djeshëm, protestuesit nuk tentuan të hyjnë me forcë në godinën e Bashkisë, duke theksuar se kjo protestë është paqësore. Ata mohuan se kapsollat që u hodhën drejt Bashkisë në fillim të protestës, janë hedhur nga qytetarë mes tyre, duke akuzuar sërish mbështetës të Partisë Socialiste se me akte të tilla po tentojnë të njollosin organizimin.