Visa ka njoftuar se është në partneritet me një grup zhvilluesish kryesorë chatbot të AI për të lidhur sistemet e tyre me rrjetin e pagesave Visa. Qëllimi është të transferohen punët e buxhetimit personal te robotët e AI. Përdoruesit do të jenë në gjendje të vendosin preferencat dhe kufijtë e shpenzimeve, më pas agjentët e AI do të kërkojnë produkte dhe do të përfundojnë blerjet. Kompanitë partnere përfshijnë firmat amerikane Anthropic, Microsoft, OpenAI dhe Perplexity dhe Mistral të Francës.
Visa po punon gjithashtu për iniciativën me IBM, kompaninë e pagesave në internet Stripe dhe prodhuesin e telefonave Samsung. Projektet pilot filluan të mërkurën, përpara përdorimit më të gjerë që pritet vitin e ardhshëm. Kompania e përpunimit të pagesave në San Francisko po vë bast se ajo që tani duket si një koncept futurist mund të bëhet së shpejti një alternativë e përshtatshme për blerjet tona. Për kompanitë në zhvillim të Al, mbështetja e Visa-s mund të rrisë gjithashtu shanset e tyre për të konkurruar me gjigantët e teknologjisë Amazon dhe Google, të cilët po zhvillojnë agjentët e tyre të AI.
“Ne mendojmë se kjo mund të jetë vërtet e rëndësishme”-tha në një intervistë Jack Forestell, shefi i produktit dhe strategjisë së Visa. Nisma e re vjen gati një vit pasi Visa zbuloi ndryshime të mëdha në mënyrën se si do të funksionojnë kartat e kreditit dhe të debitit në SHBA, duke i bërë kartat fizike dhe numrat e tyre 16-shifror gjithnjë e më të parëndësishëm. Shumë konsumatorë tashmë po mësohen me sistemet e pagesave digjitale si Apple Pay që i kthejnë telefonat e tyre në një kartë krediti.