Aktualitet

Vitin e kaluar, kontributi i ndërtimit në ekonomi arriti nivelin më të lartë që nga 2013-ta!

Pesha e ndërtimit në ekonominë e vendit po rritet vit pas viti, duke e bërë atë gjithnjë e më shumë dominues në ekonomi, teksa kontributi i sektorëve prodhues si bujqësia dhe industria është në rënie. Vitin e kaluar, sektori i ndërtimit zuri 12.5 % të PBB-së, niveli më i lartë që nga 2013-ta. Në anën tjetër, bujqësia sektori historikisht me peshën më të madhe në ekonomi zuri 15.5% të PBB-së në vitin 2024, niveli më i ulët që nga 2009-ta.

Gjithashtu kontributi i industrisë u ul në 9,9% të PBB-së më 2024-ën, niveli më i ulët që nga 2009-ta. Siç shihet gjatë dekadës së fundit, ekonomia e vendit po ikën nga sektorët prodhues duke u riorientuar për nga ndërtimi e tregtia. Rënia për tre vite rresht e sektorit të bujqësisë po redukton peshën e saj në ekonomi dhe nga ana tjetër, vala e objekteve të reja në Tiranë e bregdet do të rrisë më tej kontributin e ndërtimit në ekonomi vitet në vijim.

Zhvillimet e tre dekadave të fundit kanë treguar se pesha e bujqësisë në ekonomi thuajse është përgjysmuar nga 33% në vitin 1995, nga pak më shumë se 15% në vitin 2024.

Kontributi i ndërtimit në ekonominë e vendit ka qenë me luhatje në dekadat e fundit. Në vitet 2003-2009, ndërtimi ishte dega kryesore e ekonomisë. Në këtë periudhe pati një lulëzim të sektorit bankar, me hapjen e bankave private, të cilat kredituan masivisht blerjen dhe ndërtimin e pasurive të paluajtshme. Sektori bankar u ekspozua shumë ndaj ndërtimit duke humbur një pjesë të kredive që ende edhe sot nuk janë pastruar nga llogaritë.

Vitet e fundit, sektori i ndërtimit po rrit peshën në ekonomi, teksa bankat po ripërfshihen në kredidhënie, pas një pauze disa vjeçare.

Gjithashtu, Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku bujqësia ka peshën më të madhe në ekonomi e pavarësisht këtij fakti, vendi është importues neto i prodhimeve bujqësore. Ekonomia shqiptare vuan nga mungesa e sektorëve me vlerë të lartë dhe ato të bazuara në inovacion.

Bota është duke përjetuar revolucionin teknologjik dhe shtetet janë vënë në garë për të nxitur sipërmarrjen drejt novacionit. Shqipëria po riorienton ekonominë drejt aseteve fikse në pasuri të paluajtshme, pa vlerë të shtuar në ekonomi./ Monitor