Aktualitet

Aktivitetet profesionale, me rritjen më të madhe në ekonomi në tre dekadat e fundit!

Nga të gjitha aktivitetet ekonomike që formojnë Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), përgjatë tre dekadave të fundit është rritur ndjeshëm kontributi i “Aktiviteteve profesionale, shërbime mbështetëse”. Ky aktivitet ekonomik përfshin përgjithësisht profesionet e lira, avokatë, ekonomistë, kontabilistë, shërbime profesionale, dentistë, konsulenca, aktivitete të arkitekturës, inxhinierisë, etj.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, aktivitet profesionale kontribuuan me 0.93% në PBB-në totale më 1995-ën, teksa vitin e kaluar, pesha e këtij grupi arriti në 7.4% të PBB-së. Aktivitetet profesionale kishin rritjen më të madhe të peshës së tyre në ekonomi, në raport me degët e tjera të mëdha të ekonomisë, të tilla si bujqësia e tregtia.

Shqipëria doli nga regjimi ekonomik me një cikël ekonomik tërësisht të mbyllur ku ofruesi i vetëm i shërbimeve dhe mallrave ishte shteti. Me përfshirjen e vendit në ekonominë e tregut, nisi sipërmarrja e lirë dhe pesha e sektorit privat në ekonomi nisi të rritej e bashkë më të edhe profesionet e lira. Nevoja për shërbime avokatie, noterie, konsulenca, auditim, etj u rrit ndjeshëm vit pas viti, duke zgjeruar peshën e këtyre aktiviteteve në ekonominë e vendit.

Shërbimet profesionale, vit pas viti bëhen gjithnjë e më të kërkuara duke u shndërruar një zë më peshë në ekonomi. Vitet e fundit, shumë nga aktivitetet profesionale u nxitën nga ndryshimi i modelit ekonomik të vendit. Rritja e sektorit të ndërtimit vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm kërkesën për shërbime profesionale të tilla si projektim, arkitekturë, inxhinieri, konsulencë, etj.

Sektori i turizmit gjithashtu ka nxitur një seri aktivitetesh profesionale të tilla si shërbimet e pastrimit, kontabilitetit dhe guidave turistike, studime të tregut, konsulenca, etj.

Prej me më shumë se 34 vitesh në ekonominë e tregut, bizneset po marrin shërbime jashtë kompanisë. Psh, departamentet e marketingut bëhen me agjenci. Në vend që të punësojnë juristë, bizneset paguajnë zyra juridike për përfaqësim. Gjithashtu, çështjet e ndërlikuara të pronësisë kanë rritur kërkesën për shërbime juridike.

Në dekadën e fundit, për shkak të plakjes së popullsisë dhe rritjes së pjesëmarrjes së grave në tregun e punës është rritur ndjeshëm kërkesa për kujdestar shtëpie, etj. Të dhëna të krahasueshme tregojnë se Aktivitete Profesionale në Shqipëri kanë peshë më të lartë në PBB se në vendet e tjera të Rajonit, me përjashtim të Serbisë e Malit të Zi./ Monitor