Gjatë vizitës në Tiranë të kryediplomates europiane, Kaja Kallas u nënshkrua një marrëveshje në vlerë 90 milion euro për financimin e projektit strategjik të hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII. Kryeministri Edi Rama tha se ky segment hekurudhor është një arterie kyçe që do të “lidhë Shqipërinë me rrjetin europian të transportit dhe do të forcojë më tej rolin e saj si një nyje lidhëse në rajon”.
Pse është i rëndësishëm ky projekt?
Projekti ka të bëjë me rehabilitimin e linjës hekurudhore midis Durrësit, Rrogozhinës dhe Linit, në një gjatësi prej rreth 136 kilometrash. Po ashtu, ai përfshin ndërtimin e një lidhjeje hekurudhore prej 2.8 kilometrash nga Lini e deri në kufi me Maqedoninë e Veriut, në atë që njihet si Korridori Pan-Europian VIII, i cili lidh Italinë jugore me Detin e Zi në Bullgari, përmes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
Ky projekt është pjesë e një plani më të gjerë për ringjalljen e sektorit hekurudhor në Shqipëri. Rrjeti hekurudhor në vendin tonë, kryesisht është i vjetruar dhe nuk ka pasur investime të mëdha që nga vënia e tij në funksion. Në shumicën e rrjetit hekurudhor të Shqipërisë, shpejtësia maksimale e udhëtimit rezulton rreth 60 kilometra në orë.
Kjo është vizita e parë në Tiranë e Kaja Kallasit që nga marrja e detyrës si Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së. Zyrtarja e lartë theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 mund të jetë një objektiv realist, nëse kryhen reformat e nevojshme.
Po, është realiste nëse të gjithë bëjnë detyrat e shtëpisë.
Por në këtë rrugë, “Shqipëria duhet të bëjë reformat e nevojshme”.
Shqipëria me reformat e saj, jo vetëm ato që duhet të miratohen, por edhe ato që tashmë janë miratuar, duhet të zbatohen. Këtu, sundimi i ligjit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi shteti i së drejtës është një nga themelet e Bashkimit Europian.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Edi Rama tha se në fokus të diskutimeve ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE dhe shprehu ambicien që negociatat e procesit të anëtarësimit, të mbyllen deri më 2027-ën.
Ne kemi një plan të dakordësuar me BE-në për të mbyllur negociatat në vitin 2027, që do të thotë se në momentin që mbyllen negociatat, Komisioni i rekomandon vendeve anëtare anëtarësimin. Nga ky moment, Shqipëria parasheh një periudhë dyvjeçare ratifikimesh, që përfundon me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Këtë rrugëtim e ndihmon fakti që Shqipëria është në linjë të plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian.
Kallas e Rama folën edhe për rëndësinë që ka stabiliteti në rajon, duke theksuar nevojën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Turin rajonal që nisi në Malin e Zi dhe e vijoi në Shqipëri, Kallas e mbyll në Bosnjë- Hercegovinë.