Policia në Tiranë arrestoi një 37-vjeçar, i cili pesë ditë më parë vodhi 12 milion lekë në një banesë. Ndriçim Koka, i prangosur nga policia, rezulton i dënuar më parë në Greqi, për të njëjtin krim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 finalizuan operacionin “Saga”, në kuadër të të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi N. K., 37 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas më datë 08.11.2025, ka vjedhur 12 milionë lekë, në një banesë në rrugën “Artan Lenja”. Më datë 19.10.2025, ka vjedhur me thyerje, produkte me vlerë rreth 50 000 lekë, në një kioskë në rrugën “Muhamet Gjollesha”.
Hetuesit po punojnë edhe për zbardhjen e të tjera vjedhjeve që mund të ketë kryer 37-vjeçari.
Në një tjetër zhvillim, Policia e Korçës arrestoi një mashtrues serial, i cili po ashtu akuzohet për grabitjen e një restoranti. 48-vjeçari i shpallur në kërkim, u ndalua në një banesë të braktisur në lagjen nr. 4, të Korçës.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Mashtrimi”, u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit J. M., 48 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi më datën 21.10.2025, disa shtetas kishin bërë kallëzim, sipas të cilëve 48-vjeçari, me të cilët kishte njohje familjare e shoqërore, i kishte mashtruar me pretendime të ndryshme, duke u marrë shuma të ndryshme parash.
Më tej, sqarohet se tre ditë më parë ky shtetas, në lagjen nr. 7 të Korçës, ka hyrë në ambientet e një restoranti dhe ka vjedhur nga kasa një shumë prej 70.000 lekësh. Më pas u largua.