Volkswagen ndaloi së ndërtuari VR-6 në Evropë në mesin e viteve 2010, por kombinimi V-6/inline-six i një motori vazhdoi në Amerikën e Veriut deri disa vite më parë. Tani, VR-6 është zyrtarisht “i vdekur”. Zëdhënësi i kompanisë, Andreas G. Schleith ndau lajmin në LinkedIn. Motori i fundit VR-6 u montua më 12 dhjetor 2024. Ai kishte qenë në prodhim për gati 34 vjet, duke u shfaqur premierë në Motor Show në Gjenevë të vitit 1991 në gjeneratën e tretë Golf.
Që atëherë, pothuajse 1.87 milion motorë janë montuar. VR-6 vazhdoi me fuqizimin e shumë produkteve të VW; Corrado, Beetle, Passat, Vento/Bora/Jetta, Touareg, Phaeton, Transporter, Eos, CC dhe Sharan. Ai u përdor edhe në modele si Porsche Cayenne, Audi Q7, Audi TT, SEAT Leon, SEAT Alhambra dhe Skoda Superb. VR-6 ishte një motor i vogël por plot energji, një zgjidhje me një motor të vetëm që u solli fuqi të mirë makinave,
Ndërkaq, gazeta gjermane e biznesit Handelsblatt shkruan se Volkswagen po shqyrton lëvizjen e prodhimit të modelit Golf nga Wolfsburg në Meksikë, duke cituar burime brenda gjigantit të automobilave. Edhe pse flitet shumë për të, ende nuk ka një vendim përfundimtar për fatin e Golfit, por një nga kandidatët më të mundshëm për rolin e prodhuesit kryesor të këtij modeli në të ardhmen është në fakt një fabrikë në Puebla të Meksikës. Ky është impianti më i madh i prodhimit të Volkswagen në Meksikë, ku më parë prodhohej “Beetle” legjendar për gati 40 vjet. Megjithatë, nuk ka asnjë koment nga VW për këtë.
Rikujtojmë se punëtorët e fabrikës më madhe në Evropë, Volkswagen, pritet të nisin greva të reja në nëntë fabrika në Gjermani, për herë të dytë brenda një jave. Grevat po shihen si mënyrë për rritje të presionit ndaj menaxhmentit, në ditën kur do të zhvillohet një rund i ri negociatash për ulje pagash dhe mbyllje të disa fabrikave brenda vendit. IG Metall, sindikata që përfaqëson shumicën e punëtorëve të Volkswagenit, është duke injoruar thirrjen e kompanisë që punëtorët të pranojnë një ulje page prej 10 për qind, në mënyrë që t’i ndihmojnë kompanisë për të mbetur konkurruese në treg.