Volkswagen ka vendosur të mos zhvillojë për momentin versione plotësisht elektrike apo hibride të modelit global Amarok, duke qëndruar te motorët tradicionalë me naftë dhe benzinë. Ndryshe nga versioni për Amerikën e Jugut, Amarok global ndërtohet mbi të njëjtën platformë si Ford Ranger. Megjithëse Ford tashmë ofron një variant plug-in hibrid me motor 2.3 litra turbo dhe bateri 11.8 kWh, Volkswagen ka zgjedhur të mos ndjekë të njëjtin drejtim. Sipas CarExpert, drejtori i markës Nathan Johnson tha se CEO Stefan Mecha ka konfirmuar se projektet për Amarok PHEV dhe BEV “nuk janë më në diskutim për këtë gjeneratë”.
Megjithatë, VW nuk e përjashton mundësinë që gjenerata e ardhshme të jetë e elektrifikuar, duke parë zhvillimet e tregut. Ndërkohë, në Amerikën e Jugut, kompania po përgatit një Amarok hibrid të ri që pritet të dalë në vitin 2027. Volkswagen po ndërmerr një hap të madh në garën për zhvillimin e teknologjisë së “drejtimit autonom”, duke krijuar çipat e vetë inteligjencës artificiale në Kinë. Shefi ekzekutiv Oliver Blume tha se prodhimi i çipit “System-on-Chip” në Kinë i jep kompanisë kontroll mbi një teknologji që do të përcaktojë të ardhmen e “drejtimit inteligjent”.
Projekti po zhvillohet nga Carizon, një ndërmarrje e përbashkët mes Cariad (degë e Volkswagen) dhe kompanisë kineze Horizon Robotics, dhe pritet të jetë gati brenda tre deri në pesë vjetësh. Kjo është hera e parë që Cariad zhvillon jo vetëm softuer, por edhe një çip të vetin për drejtim autonom. Investimi, që kap vlerën mbi 200 milionë euro, synon të përforcojë pozicionin e Volkswagen ndaj rivalëve kinezë. Nisma vjen mes shqetësimeve globale për mungesë çipash dhe varësinë e industrisë evropiane nga prodhuesit aziatikë.