Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Votat për kandidatët në lista të hapura, numërimi vijon vetëm për Tiranën e Fierin!

Përfundoi numërimi i votave për kandidatët në listat e hapura në 10 qarqe, që janë Shkodër, Kukës, Dibër, Durrës, Berat, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan e Lezhë. Ndërkohë vijon në Tiranë e në Fier.

Koalicioni opozitar PD-ASH do të dërgojë në Kuvend vetëm 6 deputetë nga listat e hapura në këto qarqe. Në Durrës, më i votuari rezulton Arian Ndoji me 8125 vota. Në Korçë, Fidel Kreka ka mundur të marrë mandatin e deputetit, me 6523 vota. Në Kukës, PD-ASHM ka nxjerrë deputet nga lista e hapur Shkëlqim Shehun, i cili mori 7493 vota. Në Lezhë, deputetë nga lista e hapur kanë dalë Gjin Gjoni me 8873 vota dhe Kastriot Piroli me 5632. Në Kuvend shkon edhe Bardh Spahia, i cili në listën e hapur të PD-ASHM/së në Shkodër mori 9414 vota.

Ndërkohë, Partia Socialiste ka nxjerrë 18 deputetë në listat e hapura në 10 qarqe.

Në Berat, më të votuarit rezultojnë Hysen Buzali me 8209 vota, Fadil Nasufi me 6327 e Hatixhe Konomi me 3372. Në Dibër, PS-ja çon në Kuvend vetëm një kandidat nga listat e hapura, ku më i votuari rezulton Agron Malaj me 12616 vota. Në Durrës, më të votuarit që do të marrin vende në Parlament janë Arkend Balla me 18364, Ani Dyrmishi me 11538 vota dhe Etleva Budini me 3967 vota.

Në Elbasan janë 5 deputetë që dalin nga listat e hapura, konkretisht Sara Mila me 18626 vota, Saimir Hasalla me 9361 vota, Olsi Komici me 9020, Aulona Bylykbashi me 8315 e Agron Gaxho me 5969 vota.

Në Gjirokastër, dy më të votuarit që do të shkojnë në Kuvend janë Tërmet Peçi me 9468 vota dhe Piro Dhima, 6902. Nga radhët e socialistëve në Korçë hyjnë në parlament Ilirjan Pendavinji me 10133 vota, Bledi Çomo me 9478 e Besa Spaho me 6691 vota. Në Lezhë ka siguruar një ulëse në Kuvend, Marjeta Neli, e cila siguroi 6745 vota.

Ndërkohë në Tiranë dhe në Fier vijon numërimi. Teksa koalicioni PD-ASHM do të nxjerrë vetëm një deputet nga lista e hapur në Tiranë, më e votuara rezulton Jorida Tabaku, e ndjekur nga Ilir Alimehmeti. Në Fier, ky koalicion nuk nxjerr deputetë nga lista e hapur.

Në Tiranë, PS-ja do të nxjerrë 7 deputetë nga lista e hapur. Deri tani, më të votuarit rezultojnë Blendi Gonxhja, Ervin Hoxha, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Orlando Rakipi, Anila Denaj dhe Kejsi Elezi. Në Fier, ku PS-ja do të nxjerrrë 7 deputetë nga lista e hapur, më të votuarit deri tani janë Ceno Klosi, Klevis Jahaj, Asforal Haxhiu, Antoneta Dhima, Elton Korreshi, Zegjine Çaushi e Dhimitër Kruti.