Aktualitet Politikë

Vrasja e gjyqtarit Kalaja, 1 minutë heshtje në Kuvend/Topalli: U vra iluzioni se kemi shtet!

Në sallën e Kuvendit të Shqipërisë ku seanca e sotme plenare nisi me 1 minutë heshtje në nderim të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i vrarë më 6 tetor në krye të detyrës, Jozefina Topalli, kërkoi reagimin e shtetit. Deputetja demokrate ngriti alarmin se vendi po rrëshqet drejt autokracisë, ku sipas saj, ka ministra por nuk ka shtet, ka ligje por nuk ka drejtësi dhe një president që nuk njeh Gjykatën Kushtetuese. Topalli kërkoi një reflektim të thellë kombëtar, si dhe veprim konkret nga institucionet.

E filluat seancën plenare me një minutë heshtje. Eshtë minimumi që mund të bëhet. Në fakt, që të mos duket se ajo një minutë heshtje ishte hipokrizi, mendoj se ajo që ka ndodhur me vrasjen në zyrë të gjyqtarit është e paprecedentë në botë. As kartelet e Ekuadorit nuk kanë vrarë kurrë një gjyqtar në zyrën e tij, as mafia italiane nuk ka vrarë ndonjëherë një gjyqtar duke lexuar vendimin. Kjo ka ndodhur vetëm në vendin tonë.

Minimumi që mund të bëjmë ne si Parlament është të nisim një moment të madh reflektimi kombëtar. Relativizimi që përpiqen t’i bëjnë në mënyra të ndryshme kësaj vrasjeje, në fakt, tregon se kombi ynë është në cep të humnerës. Kjo është një kambanë alarmi për ne dhe për shtetin.

Por, në një vend ku ka ministra dhe nuk ka shtet, në një vend ku ka ligje dhe nuk ka drejtësi, në një vend ku presidenti nuk njeh Gjykatën Kushtetuese, më thoni, çfarë emri t’i vëmë?

Ju mendoni se autokracia shpallet me dekret. Jo ajo fillon me një proces: fillimisht duke frikësuar deputetët, pastaj pushtetin lokal, më pas duke ia ngushtuar fjalën qytetarit dhe në fund, duke relativizuar gjithçka.

Me vrasjen e gjyqtarit është vrarë iluzioni se në vendin tonë ka shtet. Nëse nuk reflektojmë, ky vend do të shkojë drejt humnerës.