Aktualitet

Vrau mikun e tij në mes të lokalit në Ndroq, pas 24 orësh në arrati, autori dorëzohet në polici Julian Gjoshi

Pas më shumë se 24 orësh në arrati, është dorëzuar në polici autori i dyshuar i vrasjes së 50-vjeçarit Alfred Dedja, 26-vjeçari Julian Gjoshi.

Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në një lokal në fshatin Ndroq në Tiranë, kur 26-vjeçari u fut në ambientet ku viktima po drekonte me miq, dhe pasi ky i fundit u ngrit në këmbë për ta takuar, i riu e qëlloi me disa plumba.

Pas ngjarjes, ai është arratisur nga vendi i ngjarjes me mjetin e tij “ML”, por sipas policisë pasi janë bërë bllokimet e pikave të kalimit dhe pamundësia për të qëndruar i fshehur, është dorëzuar sot.

Ende nuk dihen arsyet se përse i riu kreu vrasjen, ndërsa dyshime hidhen për prishje pazaresh droge dhe se ata ishin miq më herët.

LEXO EDHE: “Kemi sekuestruar 150 mln euro asete”, Statusi i Prokurorit, Dumani: Pas mandatit, t’u jepet mundësia për rikandidim

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve për  ngjarjen e  ndodhur më datë 01.12.2024, ku rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq,  mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç, ju informojmë se:

Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të Policisë së DVP Tiranë në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, kontrolleve të shumta të ushtruara bazuar në inteligjencës policore, gjetjen dhe bllokimin e automjetit të dyshuar që kishte përdorur autori, si dhe bllokimit të rrugëkalimeve dhe pamundësisë për të qëndruar i fshehur, autori i dyshuari u dorëzua në Polici.

Në vijim të veprimeve Specialistët për hetimin Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë  bënë ndalimin e  autorit të dyshuar, shtetasit J. Gj., 26 vjeç, banues në Shijak.

Për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, për sigurimin  dhe sekuestrimin e  provave dhe kapjen e ndalimin e autorit, Strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Tiranë, kanë punuar me  profesionalizëm në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe strukturat e tjetra të Policisë së  Shtetit.

Grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.