Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka raportuar ditën e sotme në Kuvend, duke vënë në pah punën e bërë nga SPAK.
Gjatë fjalës së tij ai u ndal edhe te statusi i prokurorit, duke e ngritur si një shqetësim, pasi përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani u shpreh se propozon që këtyre prokurorëve t’u jepet mundësia që të rikandidojnë sërish për të qenë pjesë e kësaj strukture, dhe jo t’i zgjatet mandati.
“Një shqetësim i bërë publik është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorit pas përfundimit të mandatit të tyre.
Mandati është 9 vite dhe pas 9 vite Prokurorët e SPAK kthehen në vendin ku kanë qenë më parë. Ne kemi propozuar ndryshimet e nevojshme për të rishikuar dhënien e mundësisë që të rikandidojnë për të vazhduar të jenë prokurorë të SPAK dhe jo zgjatje automatike të mandatit”, tha ai.
Kreu i SPAK, Altin Dumani në Komisionin e Monitorimit të AP të Këshillit të Europës foli gjerësisht edhe për punën e SPAK.
“Sa i takon luftës kundër korrupsionit SPAK ka ushtruar ndjekjen penale ndaj përfaqësuesve të ndryshme të pushtetit ekzekutiv, anëtarëve të kuvendit gjithashtu edhe me pushtetin gjyqësor, avokatë , gjyqtarë dhe funksionarë të policisë së shtetit, dhe për kryetarë apo ish kryetarë bashkish. Kemi bërë të mundur të godasim organizata kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike”, tha kreu i SPAK.
“Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, për zyrtarët e lartë, në fokus të SPAK është edhe luftë kundër krimit të organizuar. Gjithashtu është identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe subjekte të krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAK, deri në ditën që flasim kemi sekuestruar një total asetesh 150 milionë euro. Prokuroria e Posaçme ka marrë informacion nga vepra të ndryshme penale nga media, apo nga shoqëria civile apo qoftë edhe nga politika me denoncimet e bëra”, tha Dumani.
LEXO EDHE: Çela: Korrupsioni prej vitesh, shqetësim për shoqërinë dhe për shtetin shqiptar…