Ndeshja mes Egnatias dhe Elbasanit në stadiumin e Rrogozhinës u ndërpre në minutën e 78-të të saj, pas një incidenti që përfshiu një tifoz të skuadrës vendase. Ai quhet Vullneti Gjuzi, banues në lagjen nr 1. Rrogozhinë.
Tifozi ka pësuar dëmtime anësore në kokë dhe fraktura, por është jashtë rrezikut për jetën. Gjuzi u rrëzua nga tribuna ballore, duke përfunduar në pistën e stadiumit. Bakajoko i Egnatias ishte i pari që sinjalizoi për mjekët të shkonin me shpejtësi me më pas edhe lojtarë e tjerë të cilët kërkuan menjëherë afrimin e ambulancës.
Ndeshja u ndërpre për 15 minuta, sa u bë shoqërimi me ambulancë i tifozit në spital dhe u dha informacioni se situata e tij ishte normalizuar. Gjithashtu, pritej kthimi i ambulancës, pasi nuk mund të vijonte loja pa praninë e saj. Njoftimi për gjendjen jashtë rrezikut të tifozit të aksidentuar u prit me duartrokitje.
LEXO EDHE: Derbi Tirana-Partizani në “Arenën Kombëtare”, policia zbulon segmentet rrugore që do të bllokohen!
Sa për kronikën, Elbasani fitoi 1-2 ndaj Egnatias në transfertë, duke marrë kështu 3 pikë shumë të rëndësishme.
Në Rrogozhinë, miqtë treguan dëshirë të madhe, teksa patën disa raste. Për të ardhur te goli i skuadrës nga Elbasani u desh të vinte fundi i pjesës së parë, me Zhoel që koordinohet si duhet me kokë, pas një krosimi perfekt.
Kampionët në fuqi do pësonin një tjetër goditje brenda fraksionit. Kasa nga krahët futi një top në zonë, me Sage që me të majtën mposhti portierin kundërshtar.
Egnatia provoi të futet në lojë në fillimin e pjesës së dytë dhe shkurtoi diferencat me Bakajokon, por goli u anulua për pozicion të parregullt.
Egnatia shënoi në të 83-tën me Fernandon, i cili ekzekutoi saktë një penallti. Elbasani menaxhoi mirë rezultatin dhe shkon në kuotën e 46 pikëve, në vendin e pestë, duke shkurtuar diferencën në -1 pikë ndaj Partizanit të vendit të katërt. Ndeshja e radhës për të besuarit e Gvozdenovic është ndaj Bylis në shtëpi.