Kitaristi legjendar Zakk Wylde ka ndarë detaje prekëse mbi muajt e fundit të jetës së Ozzy Osbourne, duke rikujtuar momentet e fundit që kaloi me ikonën e “Black Sabbath”.
Në një intervistë për “Loudwire” më 23 tetor, Wylde foli për koncertin e fundit të Ozzy-t, “Back to the Beginning”, që u mbajt më 5 korrik në Birmingham — vetëm 17 ditë para se këngëtari të ndërronte jetë në moshën 76-vjeçare.
Sipas Wylde, bashkëshortja e artistit, Sharon Osbourne, kishte shpresuar se performanca do t’i jepte Ozzy-t forcë për të vazhduar përpara.
I dërgova mesazh Sharon-it dhe i thashë: ‘Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë dhe Ozzy të marrë energji.’ Ajo m’u përgjigj: ‘E shpresoj’
-tregoi muzikanti me emocione.
Wylde rrëfeu se asnjëherë nuk e kishte menduar që ai koncert do të ishte lamtumira e tyre e fundit.
Luajtëm ‘Mama I’m Coming Home’ dhe ‘Crazy Train’ — dy këngë që Ozzy i donte shumë. Mendoja se do ta shihnim sërish, ndoshta kur të përgatiste një album të ri. Kurrë s’më shkoi mendja se ajo do të ishte hera e fundit.
Në një intervistë të mëvonshme për “Guitar World” më 29 korrik, Wylde ndau mesazhin e fundit që mori nga Ozzy:
Zakki, më fal, ishte rrëmujë prapa skenës. S’të pashë. Faleminderit për gjithçka.
Ozzy Osbourne kishte treguar publikisht që në vitin 2020 se vuante nga sëmundja e Parkinsonit që prej vitit 2003. Në dokumentarin e tij të fundit, “No Escape from Now”, të publikuar në “Paramount+” më 7 tetor, këngëtari u shfaq tejet i sinqertë për përballjen me sëmundjen dhe lodhjen fizike që e shoqëronte.
Në një moment prekës të dokumentarit, ai i drejtohet Sharon-it me fjalët:
Pres të mbarojë ky koncert, të var mikrofonin dhe të kaloj pak kohë me ty. Pas kësaj, jemi të lirë.
Ky reflektim i fundit e përmbyll në mënyrën më njerëzore dhe të ndjerë karrierën e gjatë të “Princit të Errësirës”, që la pas një trashëgimi të paharrueshme në historinë e muzikës rock.