Louis Tomlinson ka folur për herë të parë me emocion mbi vdekjen tragjike të ish-anëtarit të grupit “One Direction”, Liam Payne. Në një intervistë për podcast-in “Diary of a CEO”, këngëtari i “Walls” kujtoi momentin kur mori lajmin tronditës nga shoku i tij, Niall Horan.
Isha në makinë, në Los Angeles, kur e mësova lajmin. Niall më telefonoi dhe më tha se Liam kishte ndërruar jetë
-tregoi Tomlinson.
Payne humbi jetën më 16 tetor 2024, në moshën 31-vjeçare, pasi ra nga ballkoni i dhomës së tij të hotelit në Buenos Aires, Argjentinë.
Duke folur me zë të dridhur, Louis tha se ndjeu të njëjtën ndjesi si kur humbi motrën e tij, Félicité, e cila ndërroi jetë në moshën 18-vjeçare në mars të vitit 2019.
Besoj se kushdo që ka qenë pranë dikujt që po përballet me vështirësi, e ndjen fajin që s’ka bërë mjaftueshëm. Unë mendova se mund ta ndihmoja, por problemet e tij ishin shumë më të thella se ç’mund të imagjinoja
-u shpreh ai me dhimbje.
Liam po kalonte një periudhë shumë të vështirë në atë kohë
-shtoi Tomlinson, duke kujtuar mikun e tij me mall.
Pas lajmit tragjik, Louis ndau në Instagram një foto të tyre, duke shprehur se ishte “i shkatërruar përtej fjalëve” për humbjen e një “vëllai të vërtetë”.
Jam me fat që të pata në jetën time, por më dhemb ideja që duhet të të them lamtumirë
-shkroi ai në dedikimin prekës.
Në postimin e tij, Tomlinson tregoi se kishte ruajtur një lidhje të ngushtë me Payne edhe pas shpërbërjes së grupit.
Flisnim shpesh në telefon, kujtonim momentet tona të pabesueshme me ‘One Direction’. Mendoja se do t’i ndanim ato kujtime për gjithë jetën. Do doja shumë të ndanim sërish skenën, por nuk ishte e shkruar
-përfundoi ai.
Në të njëjtën intervistë, Louis tregoi se e publikoi dedikimin për të siguruar që Liam të kujtohej “ashtu siç duhej”.
Ai ishte i mahnitshëm. Të gjithë e admironim, edhe pse ndoshta në atë kohë nuk kishim guxim ta pranonim
-shtoi këngëtari i “Back to You”.
Louis Tomlinson aktualisht po përgatitet për publikimin e albumit të tij të ri “How Did I Get Here?”, që do të dalë më 23 janar 2026. Singli i parë, “Lemonade”, është tashmë i disponueshëm.