Studiues në Irlandë mbetën të mahnitur teksa shfletonin në ekranin e kompjuterit faqet e digjitalizuara të një libri mesjetar, i cili ishte gjetur në një bibliotekë në Romë. Brenda tij, ata zbuluan thesarin që kishin kërkuar: poemën më të vjetër të ruajtur në gjuhën angleze. “Ishim jashtëzakonisht të habitur. Mbetëm pa fjalë. Nuk u besonim syve kur e pamë për herë të parë,” tha Elisabetta Magnanti, studiuese e ftuar në shkollën e anglishtes të Trinity College Dublin, për agjencinë AP.
Madje, sipas saj, poema ndodhej brenda trupit kryesor të tekstit latin: “Ishte diçka e jashtëzakonshme.” E shkruar në anglishten e vjetër nga një punëtor bujqësie nga Northumbria në shekullin VII, “Himni i Kedmonit” (Caedmon’s Hymn) gjendet në disa kopje të veprës “Historia Kishtare e Popullit Anglez”, shkruar në latinisht nga murgu dhe shenjti i njohur si Venerable Bede. Kjo vepër është një nga tekstet më të kopjuara të Mesjetës, me pothuajse 200 dorëshkrime.
“Rreth tre milionë fjalë të anglishtes së vjetër kanë mbijetuar gjithsej, por shumica dërrmuese e teksteve vijnë nga shekujt X dhe XI,” tha Mark Faulkner, profesor i letërsisë mesjetare në Trinity College. “Himni i Kedmonit është pothuajse unik si një tekst i ruajtur nga shekulli VII, ai na lidh me fazat më të hershme të anglishtes së shkruar.” Faulkner e konsideron poemën e Kedmonit si fillimin e letërsisë angleze. Një përkthim modern në anglisht i poemës thotë:
“Tani duhet të lavdërojmë rojtarin e mbretërisë qiellore,
fuqinë e krijuesit dhe qëllimin e tij,
veprën e Atit të lavdisë, sepse ai, Zot i përjetshëm,
vendosi fillimin e çdo mrekullie.
Ai së pari krijoi tokën për njerëzit,
qiellin si strehë, krijuesi i shenjtë,
pastaj krijoi tokën e mesme, mbrojtësin e njerëzimit,
Zotin e përjetshëm, i cili më pas krijoi
botën për njerëzit në tokë, Zotin e gjithëfuqishëm.”
Dorëshkrimi i gjetur nga Magnanti dhe Faulkner është një nga më të vjetrit dhe daton nga shekulli IX. Dy kopje më të hershme e përmbajnë poemën në anglishten e vjetër, por vetëm si shtesa anësore – të përkthyera nga latinishtja dhe të shkruara në margjina ose të bashkëngjitura jashtë tekstit kryesor. Ky zbulim hedh dritë mbi përhapjen e hershme të gjuhës angleze, shumë më herët sesa mendohej më parë.
“Para zbulimit të dorëshkrimit të Romës, kopja më e hershme ishte nga fillimi i shekullit XII. Pra kjo është tre shekuj më e hershme. Kjo tregon rëndësinë që i kushtohej anglishtes që në fillim të shekullit IX,” tha Faulkner. Zbulimi është pothuajse mrekulli. Thuhet se Kedmoni e krijoi poemën ndërsa punonte në abacinë e Whitby në Yorkshire-in Verior. Sipas tregimit, gjatë një gostie njerëzit recitonin poezi. “I turpëruar sepse nuk dinte çfarë të recitonte, Kedmoni u largua nga gostia dhe shkoi të flinte,” tregoi Faulkner. “Në ëndërr iu shfaq një figurë që i kërkoi të këndonte për krijimin e botës, dhe ai e bëri mrekullisht, duke krijuar himnin me nëntë vargje.”
Rreth 1400 vjet më vonë, kjo kopje e poemës u rishfaq në bibliotekën kryesore publike të Romës, por jo para se të kalonte të paktën dy herë Oqeanin Atlantik dhe të ndryshonte shumë pronarë. Murgjit e kishin kopjuar këtë version të historisë së Bedës në skriptoriumin e abacisë benediktine të Nonantolës, pranë qytetit modern të Modenës në veri të Italisë, një nga qendrat më të rëndësishme të kopjimit gjatë Mesjetës.
Në shekullin XVII, kur rëndësia e abacisë ra, koleksioni i dorëshkrimeve u zhvendos fillimisht në një abaci tjetër në Romë, më pas në Vatikan dhe në fund në një kishë të vogël. Gjatë kësaj kohe disa tekste humbën dhe më vonë dolën në zotërim të koleksionistëve të njohur ndërkombëtarë. Kjo kopje përfundoi tek antikuari anglez Thomas Phillipps, i cili më vonë e shiti. Libri u ble nga bibliofili zviceran Martin Bodmer dhe më pas përfundoi në Nju Jork në koleksionin e tregtarit të librave të rrallë H.P. Kraus.