Një dietë e balancuar konsiderohet gjerësisht si një nga faktorët më të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit. Megjithatë, jo të gjitha ushqimet kanë të njëjtën rëndësi në çdo fazë të jetës. Nevojat ushqyese ndryshojnë me moshën dhe ajo që është thelbësore në fëmijëri, mund të mos ketë të njëjtin ndikim në moshë të rritur apo në pleqëri. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, qeveria britanike vendosi një politikë racionimi ushqimor, duke u dhënë familjeve sasi të kufizuara javore për të siguruar shpërndarje të barabartë të ushqimit dhe plotësimin minimal të nevojave ushqyese.
Sheqeri ishte ndër produktet e racionuara: çdo person lejohej rreth 227 gramë në javë. Fëmijët nën moshën dy vjeçare, megjithatë, nuk përfitonin fare nga kjo sasi. Kur racionimi i sheqerit përfundoi në vitin 1953, konsumi mesatar i sheqerit te të rriturit u dyfishua. Në atë kohë, askush nuk e dinte se kjo periudhë do t’u ofronte shkencëtarëve të ardhshëm një “eksperiment natyror” për të studiuar ndikimin e konsumit të hershëm të sheqerit në shëndet.
Në një studim të publikuar në vitin 2025, një ekip ndërkombëtar studiuesish analizoi të dhënat mjekësore të 63 mijë personave të lindur në Mbretërinë e Bashkuar mes viteve 1951 dhe 1956, pikërisht kur racionimi ishte ende në fuqi. Ata zbuluan se fëmijët që ishin ekspozuar ndaj më pak sheqeri në barkun e nënës dhe gjatë 1 mjijë ditëve të para të jetës kishin 20 përqind më pak gjasa të zhvillonin sëmundje kardiovaskulare më vonë, 25 përqind më pak rrezik për insuficiencë kardiake dhe 31 përqind më pak gjasa për goditje në tru, krahasuar me ata që konsumuan sasi më të larta sheqeri pas përfundimit të racionimit.
Procesi i plakjes karakterizohet nga faza të ndryshme; një periudhë rritjeje të shpejtë në fëmijëri dhe adoleshencë, një stabilizim relativ në moshën e rritur të hershme dhe më pas me kalimin e viteve një përshpejtim i dukshëm i procesit të plakjes. Kjo është ajo që vë në dukje ScienceAlert, duke iu referuar një studimi të fundit shkencor që hedh dritë mbi momentin kritik kur plakja biologjike përshpejtohet ndjeshëm. Një ekip kërkuesish nga Akademia Kineze e Shkencave ka identifikuar një pikë të rëndësishme kthese në këtë proces; mosha rreth 50-vjeçare. Sipas tyre, pas këtij momenti, ritmi me të cilin qelizat, indet dhe organet tona degradojnë nuk është më gradual, por përshpejtohet ndjeshëm.