Food & Drink Health & Beauty

E dini sa filxhanë kafe duhet të pini në ditë që të ngadalësoni plakjen biologjike?

Një studim i botuar këtë javë në revistën “BMJ Mental Health” zbuloi se tre ose katër filxhanë kafe në ditë mund të ngadalësojnë plakjen biologjike te individët me sëmundje të rënda mendore. Ndryshe nga mosha kronologjike, që është numri i viteve që kemi jetuar, plakja biologjike mat moshën e qelizave dhe organeve tona.

Ajo nuk ndikohet vetëm nga faktorë si gjenetika, stili i jetës, ekspozimet mjedisore e dieta, tanimë edhe nga sasia e kafesë.  Krahasuar me personat që nuk pinë kafe, konsumatorët fituan pesë vite biologjike shtesë.

Katër filxhanë 225 gramësh janë afërsisht sasia e rekomanduar ditore e kafeinës për të rriturit nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave në Amerikë.

Studimi i ri sugjeron që konsumi mund të përmirësojë plakjen duke zvogëluar stresin oksidativ, një çekuilibër midis antioksidantëve dhe radikaleve të lira që dëmton qelizat e ADN-në.

Stresi oksidativ mund të ndikojë në gjatësinë e telomereve, ose në kapakët në fund të kromozomeve që i pengojnë ato të çahen (si majat plastike në lidhëset e këpucëve). Telomeret e shkurtuara mund të jenë një tregues i plakjes biologjike apo qelizore.

Ndërsa kromozomet e shkurtuara ndodhin natyrshëm, studiuesit vunë re se ato shfaqen më shpesh te personat me çrregullime të rënda mendore si skizofrenia dhe bipolariteti.

Autorët e studimit raportuan edhe se personat me çrregullime të rënda mendore kanë tendencë të kenë jetëgjatësi më të shkurtër, deri në 15 vjet më pak se bashkëmoshatarët e tyre të paprekur.

Studiuesit ndanë në katër grupe më shumë se 400 të rritur norvegjezë me skizofreni, çrregullim bipolar dhe çrregullim depresiv të madh me psikozë, bazuar në sasinë e kafesë që pinin.

Gjatësia e telomereve u mat nga mostrat e gjakut, ndërsa studiuesit gjetën një ndryshim të rëndësishëm midis atyre që nuk pinin asnjë, një deri në dy, tre deri në katër ose pesë ose më shumë filxhanë kafe në ditë.

Ndërsa tre ose katër filxhanë zgjatën telomeret, pirja e më shumë se pesë filxhanëve në ditë nuk ndikoi në to ose në moshën biologjike.

Një arsye pse studiuesit mendojnë se kafeja ngadalëson plakjen biologjike lidhet me përbërësit e saj të fuqishëm antioksidantë dhe anti-inflamatorë. Ndërsa kafeja mund të ndihmojë në zgjatjen e jetëgjatësisë, studiuesit paralajmërojnë se pirja e më shumë se sasia e rekomanduar mund të ketë efekte të kundërta.

Më shumë konsum se sasia e rekomanduar ditore e kafesë mund të shkaktojë gjithashtu dëmtime qelizore dhe shkurtim të telomeres përmes formimit të specieve reaktive të oksigjenit.