Bota

Zelensky, gati t’i japë Rusisë territor ukrainas për të arritur paqen!

Volodymyr Zelensky shprehet i gatshëm t’i dorëzojë Rusisë territor për t’i dhënë fund luftës. Presidenti ukrainas tha se vendi i tij mund të heqë dorë përkohësisht nga toka, në këmbim të një “ombrelle të NATO-s” mbi territorin që ende mban Ukraina. Ai shtoi se pasi të ketë dakordësi mbi një armëpushim, Kievi mund të negociojë “diplomatikisht” kthimin e territorit në lindje që është nën kontrollin rus.

Nëse duam të ndalojmë fazën e nxehtë të luftës, duhet të marrim nën ombrellën e NATO-s territorin e Ukrainës që kemi nën kontrollin tonë, tha Zelensky në një intervistë për Sky News. Kjo është ajo që ne duhet të bëjmë shpejt dhe më pas Ukraina mund të marrë përsëri pjesën tjetër të territorit të saj në mënyrë diplomatike.

Komentet paraqesin një ndryshim të konsiderueshëm në pozicionin e tij. Më parë, Kievi shprehej se do të vazhdojë të luftojë Rusinë derisa Ukraina të kthehet në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht e që përfshijnë katër rajonet e aneksuara nga Vladimir Putin më 2022-shin, si dhe Krimenë.

Ndryshimi vjen ndërsa Donald Trump përgatitet të marrë detyrën me një premtim për t’i dhënë fund luftës në “ditën e parë”. Ndërkohë, mbështetja për një marrëveshje paqeje po rritet edhe midis aleatëve europianë.

Sipas planeve të paraqitura nga ekipi i Trump-it, një marrëveshje paqeje do ta bënte vijën aktuale të frontit të ngrirë në vend dhe për 20 vjet, Ukraina do të pranonte të anulonte ambiciet për t’u bashkuar me NATO-n.

Në intervistën e tij, presidenti Zelensky la të kuptohet se “ombrella e NATO-s” nuk do të ishte anëtarësimi i plotë në Aleancën Veri-Atlantike, diçka që Putini e ka refuzuar si pjesë të çdo akordi paqeje. Përkundrazi, mund të nënkuptojë se shtetet anëtare të NATO-s, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francën e Gjermaninë do të ofrojnë garanci individuale të sigurisë për Ukrainën.

I pyetur në intervistë nëse Kievi do të ishte i gatshëm t’i jepte territor Moskës, krejtësisht në këmbim të anëtarësimit të plotë në NATO, ai tha:

Askush nuk na ka ofruar të jemi në NATO vetëm me një pjesë ose një pjesë tjetër të Ukrainës.