BEST OF LIVE FROM TIRANA
E ftuar në “Live From Tirana” ka qenë mjekja psikiatre, Irena Thoma. Ajo ka folur më shumë mbi faktin se si ndikon vapa dhe rritja e temperaturave në sistemin nervor. Cilat janë disa nga problematikat e shëndetit mendor që shfaqen tek individët?
A ka vërtetë një lidhje mes temperaturave të larta dhe përkeqësimit të gjendjes mendore tek njerëzit? Çfarë ndodh në trurin tonë gjatë vapës?
Në studime të shumta është gjetur një korrelacion ndërmjet temperaturave të larta, valëve të larta të të nxehtit dhe problemeve të shëndetit mendor. Është e vërtetë që vapa dhe i nxehti të jep një ndryshim të madh në sistemin nervor, sepse jep një lloj disbalancimi në nivelin e neurotransmetuesve. Për mirëqenien tonë ekzistojnë neurotransmetues në tru, siç është adrenalina, serotonina, dopamina. Këto janë disa neurotransmetues, të cilët ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes emocionale dhe rregullimin e humorit. Është pikërisht ndikimi i valëve të të nxehtit dhe temperaturave të larta, në disbalancën e këtyre neurotransmetuesve. Për shembull, ato shkaktojnë ulje të nivelit të hormonit të serotoninës, që është një hormon shumë i rëndësishëm për mirëqenien dhe humorin e mirë. Ndërkohë temperaturat e larta mund të ndikojnë në një rritje të përkohshme të nivelit të dopaminës në tru, dhe kjo rritje mund të shkaktojë një lloj irritimi, zemërim, shpërthime impulsive të nervozizmit, një prirje për të qenë më konfliktual dhe më grindavec. Krahas ndryshimit të nivelit të dopaminës, ndodh edhe një nxitje e sistemit simpatik. Sistemi simpatik prodhon hormone të tilla siç është adrenalina, që është e nevojshme në disa momente, sepse është fenomeni ‘lufto dhe vrapo’. Mirëpo shtimi i nivelit të këtyre, mund të çojë në një lloj ankthi dhe gjendje axhitimi dhe nervozizmi. Në përgjithësi, i nxehti dhe temperaturat e larta ndikojnë në përkeqësimin e gjendjeve emocionale, në rritjen e depresionit dhe të ankthit, mund të ndikojë në çrregullime bipolare në personat që vuajnë nga çrregullimet e humorit në dy pole, po kështu në gjendjet maniakale, apo tek pacientët që vuajnë nga skizofrenia, vala e të nxehtit mund të shkaktojë edhe thellim të gjendjes së tyre. Thellim të psikozës, të deluzioneve, haluçinacioneve dhe të sjelljeve të papërshtatshme dhe të jo balancuara. Përveç kësaj, është një problem tjetër që temperaturat e larta mund të ndikojnë dhe në çrregullimet e gjumit.