Nuk është më thjesht një paralajmërim ushqimor, por një alarm global: shumë produkte “bimore” dhe “të shëndetshme” mund të jenë në fakt burim toksiciteti për trupin.
Një raport i ri nga Consumer Reports ka zbuluar se disa shtesa bimore, pluhura proteinash dhe madje edhe kanella që tregtohen në SHBA përmbajnë nivele plumbi aq të larta, sa i bëjnë disa produkte të papërshtatshme për konsum njerëzor.
Sipas raportit, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka lëshuar paralajmërime për 16 marka kanelle që përmbajnë sasi të larta plumbi, një metal i rëndë që lidhet me dëmtime të trurit, çrregullime kardiovaskulare dhe probleme neurologjike afatgjata.
Eksperti i ushqimit Darin Detwiler thekson se “etiketa natyraleose bimore nuk do të thotë automatikisht e sigurt”.
Sipas studimit, produktet me bazë bimore përmbajnë mesatarisht nëntë herë më shumë plumb sesa produktet me proteina qumështi dhe dy herë më shumë se ato me proteina mishi.
Arsyeja qëndron te origjina e tyre: bimët e rritura në toka të ndotura thithin lehtësisht metalet e rënda, ndërsa procesi i tharjes dhe bluarjes në formë pluhuri përqendron edhe më shumë ndotësit.
Një problem i ngjashëm është vërejtur edhe te kanella e importuar nga vende si Sri Lanka dhe Vietnami, ku disa mostra janë gjetur me nivele alarmante të plumbit, shpesh si pasojë e ngjyruesve dhe aditivëve të ndotur.
Plumbi është një neurotoksik i fuqishëm – edhe sasitë më të vogla mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme të trurit te fëmijët, ndërsa te të rriturit lidhet me probleme të kujtesës, ulje të pjellorisë dhe sëmundje kronike.
Shkencëtarët theksojnë se nuk ekziston asnjë nivel i sigurt ekspozimi, sidomos për fëmijët dhe gratë shtatzëna.
Megjithatë, rregulloret në SHBA mbeten të kufizuara, pasi nuk ekziston një standard i vetëm federal që përcakton kufijtë maksimalë të plumbit në të gjitha ushqimet dhe suplementet.
Ekspertët paralajmërojnë se konsumatorët duhet të jenë shumë më të kujdesshëm me produktet që mbajnë etiketa si “organike”, “bimore” apo “të pastra”, pasi këto shënime nuk janë gjithmonë të mbështetura nga kontrolle laboratorike.
Plumbi mund të fshihet kudo – nga pluhurat e proteinave që i hedhim në smoothie, deri te kanella që përdorim çdo mëngjes
-thekson Detwiler.
Kjo gjetje nënvizon domosdoshmërinë për rregullore më të forta, testime më të shpeshta laboratorike dhe edukim të konsumatorëve, për të shmangur që zgjedhjet e shëndetshme të shndërrohen në një rrezik të padukshëm për shëndetin publik.