Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një konferencë me gazetarët zbuloi më shumë detaje rreth votimit për zgjedhjet e 11 majit.
Ai u shpreh se fletët e votimit do të dërgohen në Diasporë, deri më 17 prill.
Ecuria e procedurave ka vijuar normalisht dhe nuk janë hasur problematika, tha ai. Më tej theksoi se votuesi nuk do paguajë asnjë kosto, por do e mbulojë shteti shqiptar.
Celibashi gjithashtu nënvizoi se do të ketë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtar si edhe përfaqësues të partive politike.
“Besoj për 10 ditë ose dy javë do të vendosemi në disa pika të njësisë 10 në Tiranë, do të instalojmë disa pajisje. Veç udhëzuesve do të prezantohen edhe në rrjetet sociale të KQZ. Për votimin nga brenda thuajse të gjitha aspektet përgatitore janë në përputhje me kalendarin e përgatitur. Sa i përket votimit nga jashtë e kemi të zgjedhur edhe operatorin e shërbimit postar”, tha ndër të tjera Celibashi.
Teksa na ndajnë pesë javë nga data e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, një delegacion i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR ishte ditën e djeshme (1 prill) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Delegacioni kryesohej nga ambasadori Lamberto Zanier.
Gjatë takimit, prezantuam një tablo të plotë të përgatitjeve për zgjedhjet e 11 majit 2025, procesin e regjistrimit dhe ecurinë e procesit të votimit nga jashtë dhe adresuam të gjitha çështjet me interes për ekipin e Zanier, njoftoi KQZ në deklaratën për media.