Aktualitet Politikë

Zgjedhjet e 6 Marsit/ Nga Shkodra, Berisha i bën thirrje kandidatëve të Ramës e të Bashës që të tërhiqen nga gara

Sali Berisha ka prezantuar sot para qindra shkodranëve kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahia për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Shkodrës që do zhvillohen me 6 mars.

Ai tha se 6 marsi do jetë festa e fitores së “Shtëpisë së Lirisë” dhe të Bardh Spahisë. Berisha mes të tjerash ka ftuar shkodranët që të votojnë Spahinë, ndërsa duke folur për kundërshtaren nga radhët e PS-së, Majlinda Angonin, ka bërë apel që ajo të lërë fushatën dhe të mos përfaqësoj Edi Ramën. Sipas Berishës, Angoni ka bërë gabimin më të madh që ka zgjedhur të jetë krah Ramës në këto zgjedhje.

“Nuk të takonte as si Angonë të përfaqësoje një njeri që s’ka vlerë dhe urren Shkodrën” ky ka qenë mesazhi i Berishës për kandidaten socialiste.

Po ashtu Berisha është ndalur edhe për Xhamal Bushati duke thënë se ai ishte një midis tyre. Edhe Bushatit, Sali Berisha i ka bërë thirrje që të lërë fushatën dhe të tërhiqet nga gara për bashkinë e Shkodrës.

“Po të doje merrje pjesë në primare dhe do kishe respektin tonë të plotë. Por ti zgjodhe atë që s’të takonte kurrë. Atë që shkelmon veten e tij, Lul Bravën. Do i bie shkurt. I nderuar Xhamal mos u bëj shoku Xhamal. Kaq kam për ty unë. Ndaj lëre këtë fushatë bëj ca ditë pushim dhe hajde të takohemi përsëri se gabime bëjmë të gjithë. Edhe një herë përulem para jush me mirënjohje të thellë”

Ndërsa kandidati për Bashkinë e Shkodrës Bardh Spahia, gjatë fjalës së tij tha se dera e bashkisë do të jetë e hapur për çdo qytetar të Shkodrës, praktikë që e ka aplikuar edhe gjatë profesionit të tij si mjek.

Spahia tha se askush nuk do t’i ndalë demokratët në rrugën kundër të keqës që sipas tij ka përfshirë vendin.

“Sot dua të garantoj të gjithë demokratët se askush nuk na dal dot në rrugën tonë për të patur një parti fituese që nuk bën pazare me sakrificat e demoratëve. Askush nuk na përçan dot në rrugën drejt triumfit ndaj të keqës që ka përfshirë vendin. Bashkë, ne do të jetojmë për një qytet ku do të jetohet më mirë”, tha ai.

Ndër të tjera, Spahia i quajti zgjedhjet e 6 Marsit një referendum.

Të nderuar deputetë, miq , pjesëmarrës dhe demokratë që sot jeni këtu si shtyllat më të forta të ‘Shtëpisë tonë të irisë’. 6 marsi është më shume se zgjedhje lokale, 6 marsi është më shumë se zgjedhje parlamentare. 6 Marsi është referendum dhe Shkodra duhet të çohet në këmbë e gjitha pa dallim . Le ta konsiderojmë këtë misionin tonë të përbashkët. Unë jam këtu sot sepse shumë njerëz më kanë besuar dhe më kanë përkrahur, jam këtu pas një manifestimi të jashtëzakonshëm demokratik të votës së lirë së Partisë Demokratike. Sot dua të garantoj të gjithë demokratët se askush nuk do të na ndalë ne rrugën tonë të drejtë për të patur një shtëpi dinjitoze. Një shtëpi që nuk bën pazare me sakrificën e demokratëve. Askush nuk mund të na përçajë në rrugën tonë drejt triumfit mbi të keqen më të madhe që ka mbërthyer vendin. Qytetarëve të Shkodrës dua t’ju garantoj se jam më i motivuar se kurrë, nga dëshira juaj e fortë për të pasur një qeverisje të mirë për Shkodrën”, u shpreh Spahia.

E pranishme në takim është edhe Voltana Ademi, e cila nuk pranoi të merrte pjesë si kandidate në primaret e organizuara nga mbështetësit e Berishës për të nxjerrë kandidatin e tyre në zgjedhjet e 6 marsit. Të pranishëm, krahas Ademit dhe Berishës ishin edhe Belind Këlliçi dhe Arben Imami.

Spahia garon përballë  Xhemal Bushatit të PD-së dhe Majlinda Angonit të PS-së.