Zhvendosja organizative e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë, reagoi kryeministri Edi Rama duke theksuar se po “keqinterpretohet qëllimisht ose gabimisht, dallimi mes adresës fizike të institucionit dhe shërbimit ndaj qytetarëve”.
Gjatë “Shënimeve të Javës” në podcast-in “Flasim”, Rama sqaroi se prej kohësh, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka kaluar në një model modern shërbimesh online, përmes platformës e-Albania.
U ngatërrua qëllimisht ose më falni, idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët.
Prej kohësh, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka kaluar nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje, etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që për shumicën e procedurave kadastrale, nuk ka nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit.
Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjitha aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika.
Rama theksoi se reagimet dhe tensionet e krijuara rreth kësaj zhvendosjeje lidhen jo vetëm me mungesë informacioni, por edhe me një mendësi që “duhet ndryshuar”. Kryeministri nënvizoi se e ardhmja e afërt e Kadastrës është një shërbim pa sportele dhe pa godina fizike të shpërndara në territor, ku çdo shërbim do të merret online.
Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës.
Kryeministri shtoi se kjo nuk është lëvizja e parë e zhvendosjes së një drejtorie vendore në qendër dhe as e fundit, duke paralajmëruar se edhe institucione të tjera do të ndjekin të njëjtin model.
Ky nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online e pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë, po aty online.
Pas vendimit për transferimin e Kadastrës Vlorë në Tiranë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës njoftoi se procesi i transferimit të drejtorive vendore në kryeqytet ka nisur që më 2021-shin, me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar me të tjera drejtori si Shkodër, Kavajë dhe Kamëz-Vorë.