Zjarri që shpërtheu një ditë më parë në Evian Qendrore po vazhdon që të përhapet në Greqinë fqinje. Flakët nisën në fshatin Pissonas e me shpejtësi u zhvendosën drejt Afratit, duke djegur pyje me pisha dhe toka bujqësore. Ndërsa përdorën mjete të ndryshme me ndërhyrje nga toka dhe ajri, zjarrfikësit u përpoqën të frenonin zjarrin në mal. Por, erërat e forta kanë intensifikuar flakët që u kthyen në rrezik të lartë.
U lëshua një urdhër evakuimi për fshatin Afrati. Forcat zjarrfikëse janë angazhuar në zonë për të mbrojtur banesat.
Përforcime pritet të vijnë nga Greqia Qendrore, Atika e Thesalia.
Zjarri ra dje rreth orës 13:47 në fshatin Pissonas dhe po lëviz drejt jugut. Erërat e forta veriore, po krijojnë fronte të reja zjarri.
Për lokalizimin e shuarjen e zjarrit po punojnë 120 zjarrfikëse me 5 ekipe tokësore, 40 automjete, 11 avionë e 6 helikopterë. Ujësjellës dhe makineri nga Organizatat e Pushtetit Vendor janë duke dhënë mbështetje, teksa në terren qëndrojnë të vendosura dhe forcat policore greke.
Koordinimi i të gjitha forcave të mbrojtjes civile po menaxhohet nga qendra e lëvizshme operative “Olympus”. Zjarret janë një problematikë e përsëritur në territorin grek e më gjerë në rajon, përfshirë vendin tonë ku më në fund u shuan flakët në katër vatra problematike në Gjirokastër.
Kryebashkiaku Flamur Golemi kërkoi që organet kompetente të zbulojnë autorët e zjarrvënieve të qëllimshme e që shkaktuan dëme në përpjekjet për pastrimin e kullotave.
Ne do t’i shkojmë deri në fund kësaj historie. Edhe në tentativë për të pastruar kullotat, mund të krijohen situata emergjence.
I pyetur në lidhje me dëmet që ka shkaktuar zjarri, Golemi theksoi se shërbimet pyjore po bëjnë bilancin e shtoi:
Për fat të mirë, 1 hektar është dëmi në pyje. Problem janë kullotat, më shumë shkurret dhe bari. I kemi mbajtur zjarret larg zonave të banuara, pasi u rrezikuan dy lagje. Jemi në pikun e sezonit turistik, por sërish kemi vazhduar kalendarin e aktiviteteve pavarësisht problemeve.