Zjarrvënia mbetet një problem shqetësues dhe i përsëritur në kohë në vendin tonë, sidomos në këtë periudhë të vitit ku një pjesë e konsiderueshme e territorit është në flakë. Policia e Vaut të Dejës njofton se arrestoi në flagrancë një person, i cili dyshohet se ndezi zjarr në varrezat e fshatit Barbullush e si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe e madhe toke me shkurre.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet:
Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës arrestuan në flagrancë shtetasin L. Rr., banues në fshatin Barbullush.
Sipas policisë, ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka ndezur zjarr në varrezat e fshatit Barbullush dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke me shkurre. Nga flakët, sipas policisë, nuk janë dëmtuar varret.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër u bën thirrje të gjithë qytetarëve që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.