Aktualitet

Tre të arrestuar për zjarre në Tiranë, Shijak dhe Vlorë!

Policia e Tiranës vuri në pranga autorin e dyshuar të zjarrvënies së një dite më parë në zonën e mbrojtur të Malit me Gropa, ku u dogjën rreth 600 hektarë kullota dhe bimësi brenda Parkut Kombëtar të Dajtit. I arrestuari është një 63 vjeçar, banues në Fushë-Stanë. Hetimet paraprake tregojnë se gjatë punës si bari në zonë, ai ndezi zjarr në një sipërfaqe kullotë. Të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, flakët u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë lugina dhe zona si Gryka e Mullinit e Qafa e Qershisë, që ndodhen brenda kufijve të zonës së mbrojtur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Po për zjarret, orët e fundit u arrestuan edhe dy persona të tjerë në Shijak e Vlorë. Policia njoftoi arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrit që përfshiu një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Shetel në Shijak, duke rrezikuar djegien e banesave. Në pranga ra një 58 vjeçar. Duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i doli jashtë kontrollit duke përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel e rrezikoi edhe banesat pranë.

Falë veprimeve të shpejta hetimore, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit I. B., 58 vjeç, banues në fshatin Shetel, Njësia Administrative Gjepalaj, Shijak.

Arrestimi i tij u bë pasi, mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, duke djegur mbeturina në tokën e tij, zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë një sipërfaqe të madhe të pyllëzuar në fshatin Shetel, duke rrezikuar edhe banesat pranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, mbi bazën e nenit 206/a të Kodit Penal, “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve ose i mjedisit pyjor”.

Në Vlorë, policia ndaloi një 33-vjeçar nga Kanina për zjarrvënie.

Njoftimi zyrtar: 

Vlorë/Ndezi zjarr për pastrim dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, u dogj një sipërfaqe e konsiderueshme me bimësi në malin e Shashicës, ndalohet 33-vjeçari.

Si rezultat i punës hetimore dhe i veprimeve të shpejta për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të zjarrvënieve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë ndaluan shtetasin E. F., 33 vjeç, banues në fshatin Kaninë, Vlorë.

33-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për pastrimin e barërave, në një sipërfaqe toke kullotë në pronësi të tij, në vendin e quajtur “Gryka e Zguros”, në malin e Shashicës, ku si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme, me shkurre dhe bimësi të dendur. Zjarri është përhapur edhe në drejtim të territorit të fshatrave Kaninë dhe Sherishtë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

‍♂️ Në bashkëpunim me komisariatet në varësi, vijon intensivisht puna për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të çdo autori të zjarrvënieve në territorin e qarkut të Vlorës.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, duke iu garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.