Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov përshëndeti vendimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar në Kiev ato që quhen “bomba thërrmuese”. Ndërsa shprehu bindjen se do të ndihmojnë në çlirimin e territorit ukrainas, premtoi se municionet nuk do të përdoren në Rusi.
Dy ditë më parë, Uashingtoni njoftoi se do të furnizojë Ukrainën me municione thërrmuese të ndaluara gjerësisht. Presidenti amerikan, Joe Biden tha se ishte “vendim shumë i vështirë”.
Ministri Reznikov vuri në dukje se “municioni do të ndihmojë në shpëtimin e jetëve të ushtarëve ukrainas”, duke shtuar se “Ukraina do të mbajë të dhëna të rrepta të përdorimit të tyre” dhe “do të shkëmbejë informacione me partnerët”.
Qëndrimi ynë është i thjeshtë. Ne duhet të çlirojmë territoret tona të pushtuara përkohësisht e të shpëtojmë jetët e njerëzve tanë. Këtë municion, Ukraina do ta përdorë vetëm për të çliruar territoret tona të njohura ndërkombëtarisht, jo në atë që zyrtarisht njihet si rus.
Në përgjigje të dërgimit të “bombave thërrmuese” nga SHBA-të në Ukrainë, Britania e Madhe, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Spanja thanë se kundërshtojnë përdorimin e tyre. Kryeministri britanik, Rishi Sunak:
Britania e Madhe është gjithashtu një nënshkruese e konventës që ndalon prodhimin ose përdorimin e municioneve thërrmuese dhe dekurajon përdorimin e tyre.
Ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles:
Bazuar në angazhimin e vendosur që ka ndaj Ukrainës, Spanja gjithashtu ka një angazhim të fortë që nuk mund të dorëzojë disa armë e bomba në asnjë rrethanë.
Municionet thërrmuese janë të ndaluara në mbi 100 vende. Kryesisht, ato lëshojnë një numër të madh bombash më të vogla që mund të vrasin në një zonë të madhe, pa bërë dallime.
Dje, përsëri Moska kritikoi vendimin amerikan, duke e përshkruar si “tjetër shembull të egër të politikës anti-ruse të Uashingtonit”.
Një tjetër armë e mrekullueshme, ku Uashingtoni dhe Kievi po mbështeten, pavarësisht nga pasojat e rënda. Në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë në rrjedhën e operacionit special ushtarak, qëllimet e të cilit do të arrihen plotësisht.
Rusia, Ukraina dhe SHBA-të nuk e kanë nënshkruar Konventën për Municionet Thërrmuese, e cila ndalon prodhimin, grumbullimin, përdorimin e transferimin e armëve të tilla.