Bota

Zv.presidenti amerikan Vance i fiksuar pas UFO-ve: Alienët janë demonë!

Zv.presidenti i SHBA-ve, J.D.Vance, ka rrëfyer se është “i fiksuar” pas alienëve, duke i quajtur “demonë”.

Çdo fe botërore, përfshirë Krishtërimin, ka kuptuar se ka gjëra të çuditshme atje jashtë, gjëra që janë të vështira për t’u shpjeguar. Ka qenie qiellore që fluturojnë përreth, duke u bërë gjëra të çuditshme njerëzve. Mendoj se ekziston një dëshirë për të përshkruar çdo gjë të botës tjetër si aliene, shpjegoi Vance në podcast-in Benny Show.

Precedenti

Kjo nuk është hera e parë që JD Vance flet hapur për alienët. Gushtin e kaluar, në podcast-in Ruthless, numri dy i Shtëpisë së Bardhë pranonte se ishte “i fiksuar” pas UFO-ve dhe “veçanërisht i përqendruar” në këtë çështje.

Po ashtu, njoftoi qëllimin e tij për të hetuar videot “misterioze” të objekteve fluturuese që u shfaqën në dhjetor 2024 në qiellin e New Jersey-t e shtete të tjera të Bregut Lindor.

Megjithatë, në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë zbuloi se ishin dronë të autorizuar nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) për qëllime kërkimore dhe rekreative.

Edhe intervistuesi, Michael Duncan foli hapur mbi interesin e tij për alienët dhe vuri në dukje se kishte qenë në Roswell, një nga zonat ku raportohen pamje misterioze në lajme.

A patë ndonjë alien, pyeti Vance.

Jo, pashë hangarin ku ndodheshin, u përgjigj Duncan.

Biseda shkaktoi të qeshura.

Sapo të kuptoj nëse ka ndonjë gjë atje, do të sigurohem që ju të jeni i pari që e merrni vesh, shtoi J.D. Vance.

Donald Trump dhe alienët

Muajin e kaluar, Trump njoftoi në Truth Social, publikimin e ardhshëm të dosjeve qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO).

Presidenti amerikan përmendi “interes të madh” për këtë temë.

Në postim, siguroi se të gjitha informacionet që lidhen me këto çështje jashtëzakonisht komplekse, por jashtëzakonisht interesante e të rëndësishme do të publikohen.

Rubio dhe alienët

Një tjetër anëtar i administratës Trump, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e merr shumë seriozisht çështjen e UFO-ve. Në vitin 2023, kur ishte senator, pretendoi se zyrtarët e lartë amerikanë kishin “njohuri të dorës së parë” për një program sekret të Pentagonit lidhur me rikuperimin e avionëve të paidentifikuar të rrëzuar.