Bota

Trump urdhëron hapjen e dosjeve për UFO-t dhe jetën aliene!

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se po udhëzon Pentagonin e të tjera agjenci qeveritare, të identifikojnë dhe publikojnë dosje që lidhen me jashtëtokësorët dhe UFO-t, për shkak të “interesit të madh”. Më herët, Trump akuzoi ish-presidentin Barack Obama se ka zbuluar “informacion të klasifikuar”, kur në një intervistë podcast-i sugjeroi se alienët ishin realë.

Trump u tha gazetarëve:

Nuk e di nëse janë realë apo jo.

Për Obamën u shpreh:

Mund ta nxjerr nga telashi duke deklasifikuar.

Në një postim, shefi i Shtëpisë së Bardhë rrëfeu se po drejtonte agjencitë qeveritare të publikonin dosje që lidhen “me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP), objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO) dhe çdo informacion tjetër të lidhur me këto çështje shumë komplekse, por jashtëzakonisht interesante e të rëndësishme”.

Obama i bëri komentet, por më vonë sqaroi se nuk ka parë prova që alienët “kanë kontakt me ne”, teksa shtoi:

Statistikisht, universi është aq i madh sa që gjasat janë të mira që ekziston jetë diku atje.

Trump u tha gazetarëve se sa i përket mundësisë së vizitorëve jashtëtokësorë, nuk ka një mendim për këtë.

Nuk flas kurrë për këtë. Shumë njerëz flasin. Shumë njerëz besojnë.

Interesi publik për objektet fluturuese të paidentifikuara dhe mundësinë që qeveria të fshehë sekrete për jetën jashtëtokësore u rikthye në vëmendje në vitin 2017, pasi një grup ish-zyrtarësh të Pentagonit dhe qeverisë publikuan video të Marinës për objekte të panjohura në gazetat The New York Times dhe Politico.

Ky rishqyrtim çoi në mbajtjen e seancave të para dëgjimore në Kongres për UFO-t pas 50 vitesh, në maj 2022, megjithëse zyrtarët thanë se objektet që dukeshin si trekëndësha të gjelbër që notonin mbi një anije të Marinës ka shumë gjasa të ishin dronë.

Që atëherë, Pentagoni ka premtuar më shumë transparencë për këtë temë. Në korrik 2022, krijoi Zyrën për Zgjidhjen e Anomalive në të Gjitha Fushat (All-Domain Anomaly Resolution Office – AARO), e cila synon të jetë një qendër për mbledhjen e raportimeve për të gjitha përballjet ushtarake me UFO-t.

Informacioni i bërë publik tregon se shumica dërrmuese e raporteve për UFO nga ushtria mbeten të pazgjidhura, por ato që janë identifikuar rezultojnë kryesisht të padëmshme.

Një raport i paklasifikuar prej 18 faqesh, i dorëzuar në Kongres në qershor 2024, tha se anëtarët e forcave të armatosura kishin bërë 485 raportime për fenomene të paidentifikuara gjatë vitit të kaluar, por 118 raste u përcaktuan si “objekte të zakonshme si lloje të ndryshme balonash, zogj de sisteme ajrore pa pilot”.

Eshtë e rëndësishme të theksohet se deri më sot, AARO nuk ka zbuluar asnjë provë për qenie, aktivitete apo teknologji jashtëtokësore.