U paralajmërua për sot dhe Keir Starmer iu përmbajt. Rreth orës 15:00 me tonën, kryeministri britanik njoftoi njohjen e shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar.
Sot, për të ringjallur shpresën për paqe për palestinezët dhe izraelitët dhe një zgjidhje me dy shtete, Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht Shtetin e Palestinës.
Në fillim të videos së postuar në mediat sociale, Starmer deklaroi:
Përballë tmerrit në rritje në Lindjen e Mesme, ne po veprojmë për të mbajtur gjallë mundësinë e paqes dhe të një zgjidhjeje me dy shtete. Kjo do të thotë një Izrael i sigurt dhe i mbrojtur, së bashku me një shtet të qëndrueshëm palestinez. Për momentin, nuk kemi asnjërën.
Më pas vazhdoi duke vënë në dukje se “tani ka ardhur” momenti për njohjen e shtetësisë palestineze.
Pra, për të ringjallur shpresën e paqes dhe një zgjidhje me dy shtete, sot unë deklaroj qartë, si kryeministër i këtij vendi të madh, se Mbretëria e Bashkuar njeh zyrtarisht shtetin e Palestinës.
Starmer tha se është takuar me familjet britanike të pengjeve të mbajtur nga Hamasi në Gaza dhe sheh “torturën që ata durojnë çdo ditë” e dhimbjen që godet thellë në zemrat e njerëzve në Izrael dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Pengjet duhet të lirohen menjëherë! Ne do të vazhdojmë të luftojmë për t’i çuar në shtëpi. Thirrja jonë për një zgjidhje të vërtetë me dy shtete është krejt e kundërta e vizionit të urryer [të Hamasit].
Kjo zgjidhje nuk është shpërblim për Hamasin. Kjo do të thotë që Hamasi nuk mund të ketë të ardhme, asnjë rol në qeveri dhe asnjë rol për sigurinë.
Duke njoftuar njohjen e shtetit palestinez nga Mbretëria e Bashkuar, kryeministri Starmer theksoi se kriza e shkaktuar nga njeriu në Gaza ka arritur në thellësi të reja.
Uria dhe shkatërrimi janë krejtësisht të patolerueshme. Dhjetëra mijëra janë vrarë, mes tyre njerëz që kërkonin ushqim dhe ujë. Kjo vdekje dhe ky shkatërrim na tmerron të gjithëve.
Disa fëmijë të sëmurë e të plagosur janë evakuuar dhe ne kemi rritur mbështetjen për ndihmë humanitare, por aspak nuk po shkon ndihma e mjaftueshme. Ne i bëjmë thirrje qeverisë izraelite të heqë kufizimet në kufi. Ndalo këto taktika mizore dhe lëre ndihmën të vërshojë!
Më parë, Izraeli ka mohuar se ka kufizime për ndihmën.
“Sot ne bashkohemi me mbi 150 vende që njohin një shtet palestinez”, vazhdoi Starmer, teksa deklaroi se “ky veprim është “një premtim për popullin palestinez dhe izraelit se mund të ketë një të ardhme më të mirë”.
E di forcën e ndjenjës që provokon ky konflikt. E kemi parë në rrugët tona, në shkollat tona dhe në bisedat që kemi pasur me miqtë dhe familjen. Ka krijuar përçarje, disa e kanë përdorur për të nxitur urrejtje dhe frikë, por kjo nuk zgjidh asgjë. Jo vetëm që duhet ta hedhim poshtë urrejtjen, por duhet të dyfishojmë përpjekjet për të luftuar urrejtjen në të gjitha format e saj.
Më herët gjatë ditës, njohja e Palestinës shtet erdhi nga Kanadaja dhe Australia. Kryeministri kandez, Mark Carney:
Kanadaja njeh shtetin e Palestinës. Kanadaja njeh shtetin e Palestinës dhe ofron partneritetin e saj në ndërtimin e premtimit të një të ardhmeje paqësore si për shtetin e Palestinës ashtu edhe për shtetin e Izraelit.
Në këtë mënyrë, Kanadaja bëhet vendi i parë i G7-ës që njeh shtetin palestinez. Edhe Australia njoftoi gjithashtu njohjen e një shteti palestinez, duke iu bashkuar Kanadasë si vendi i dytë i G7 që e bën zyrtarisht këtë.
Si Kanadaja, ashtu edhe Australia i kishin shprehur më parë qëllimet e tyre për të njohur zyrtarisht një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork që zhvillon punimet javën e ardhshme.
Australia ka ndjekur vendimin e Kanadasë për të njohur Palestinën si shtet sovran, shkroi kryeministri Anthony Albanese. Kjo është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët së bashku me Kanadanë dhe Britaninë e do të formojë “një përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje me dy shtete”.