Ed Sheeran ka zgjedhur Kroacinë për projektin e tij më të fundit muzikor. Këngëtari britanik është parë duke xhiruar një videoklip në ishullin e Hvarit, ndërsa një fotografi të tij e publikoi edhe Zyra Turistike e Qytetit, me mbishkrimin:
Dita e xhirimeve
-shoqëruar nga kënga e tij “Shape of You”.
Sipas mediave kroate, Sheeran nuk është vetëm. Në videoklip do të shfaqet edhe aktorja britanike Phoebe Dynevor, e njohur për rolin e Daphne Bridgerton në sezonin e parë të serialit të famshëm të Netflix-it, “Bridgerton”.
Dëshmitarë lokalë kanë treguar se disa skena u xhiruan në kafenë Kiwa dhe plazhin Dubovica, ndërsa pritet që puna të vijojë edhe në qytetin e Splitit. Ende nuk dihet se për cilën këngë bëhet fjalë.
Kjo nuk është hera e parë që Sheeran ndalet në Kroaci. Vitin e kaluar, gjatë turneut të tij botëror “+−=÷× Tour”, ai performoi në Hipodromin e Zagrebit para rreth 70,000 fansave, ku i është bashkuar në skenë edhe këngëtari Calum Scott.
Pas suksesit të koncertit, duket se Kroacia i ka lënë përshtypje të veçantë artistit, i cili është rikthyer këtë vit për xhirime të reja muzikore.