Aktualitet

1.4 miliardë euro në vit, shtetet nga emigrantët dërgojnë më shumë para!

Në vitin 2024, emigrantët dërguan në Shqipëri 1.4 miliardë euro, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat. Transfertat personale janë kryesisht paratë që emigrantët dërgojnë te familjet e tyre, zakonisht pa kundërshpërblim.

Shuma e deklaruar nga Eurostat është më e lartë se ajo që raportohet nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilës transfertat e emigrantëve në 2024-ën ishin rreth 1 miliard euro.

Eurostat publikon dhe transfertat e ndara sipas shteteve. Tradicionalisht Italia dhe Greqia kanë qenë shtetet që kishin dërgesat më të larta për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që ikën në fillim të viteve ’90 dhe vijuan të iknin për shkak të afërsisë gjeografike.

Por, të dhënat e 2024-ës, tregojnë se gjeografia e remitancave ka ndryshuar pjesërisht, duke e zhvendosur Greqinë, në favor të destinacioneve të reja të emigracionit, si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.

Italia vijon të kryesojë fronin, me emigrantët që jetojnë në këtë vend, që kanë dërguar 370 milion euro në vitin 2024, ose 25.7% të totalit të dërgesave.

Në vend të dytë është ngjitur Mbretëria e Bashkuar, nga e cila janë dërguar 243 milion euro më 2024-ën. Ky vend ka pritur shumë shqiptarë gjatë viteve të fundit, duke u kthyer madje në një shqetësim për qeverinë britanike, për shkak të fluksit të lartë të hyrjeve të emigrantëve të paligjshëm.

Një numër i lartë shqiptarësh raportohet që punojnë në shtëpitë e barit, çka sjell të ardhura të shpejta e të larta, duke u reflektuar edhe në transfertat që bëjnë drejt të afërmve në Shqipëri.

Në vend të tretë renditet Gjermania, nga e cila janë dërguar në Shqipëri transferta me vlerë 231 milion euro. Vitet e fundit, Gjermania ka qenë destinacion i preferuar për shumë profesionistë, si mjekë, infermierë, specialistë të teknologjisë së informacionit, që marrin paga relativisht të larta, duke mundësuar që të ndihmojnë të afërmit që kanë lënë pas.

Greqia, që ka një numër të lartë shqiptarësh që jetojnë e punojnë aty, është vetëm e katërta, me 202 milion euro edhe për faktin që ky shtet ka lidhje tokësore, që mundëson transferimin e parave cash. Amerika, vendi i mundësive ku shumë shqiptarë tentojnë të ikin përmes lotarive apo rrugëve të ndryshme, renditet në e pesta, me 159 milion euro që ata kanë dërguar më 2024-ën.

Ndonëse është e para për kërkesat për azil, Franca nuk duket se ofron shumë mundësi për punësim e të ardhura, teksa dërgesat në vitin 2024 ishin 38 milion euro. Pas saj renditet Irlanda, një shtet në veri të Europës ku duket se kanë gjetur punë shumë shqiptarë, që dërguan gati 24 milion euro si transferta personale në vendin mëmë më 2024-ën.

Renditjen e vijojnë Kanadaja me gati 20 milion euro, Zvicra me 19.3 milion, Belgjika me 15.1 dhe Austria me 11 milion euro. Nga shtetet e tjera, transfertat personale janë më të ulëta se 10 milion euro. Shtetasit shqiptarë kanë “depërtuar” deri në qendrat offshore financiare, ndonëse dërgesat mbeten minimale, në 1.4 milion euro në vit.

Eurostat raportoi se rreth 2.1 miliardë euro janë dërguar në Shqipëri gjatë vitit 2024 nga transfertat personale dhe kompensimi i punonjësve, sipas të dhënave të publikuara. Rreth 68% e kësaj shume ishin transfertat personale, apo dërgesat nga emigrantët.

Emigrantët dhe ata që punojnë përkohësisht jashtë dërguan 2.1 miliardë euro në Shqipëri më 2024-ën. Pjesa tjetër, rreth 32%, ose 663 milion euro janë nga transfertat personale dhe kompensimi i punonjësve. Nga Greqia në Irlandë e vendet arabe, shqiptarët që punojnë jashtë fituan 663 milion euro në vitin 2024./Monitor