Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca për shqyrtimin e masës së sigurimit “Arrest me burg” të caktuar ndaj Erion Veliajt. Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet shtatorin e kaluar dhe dërgoi për gjykim kryetarin e Bashkisë Tiranë. SPAK-u i rendit 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre e futja e sendeve në burg.
Veliaj është i pranishëm në sallën e gjyqit dhe për këtë seancë përfaqësohet nga avokati. Nga ana e Prokurorisë së Posaçme, janë prokurorët Ols Dado dhe Altin Dumani. Kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë u paraqit nga Veliaj, me argumentin se nuk ekziston më rrezik për prishjen e provave, pasi çështja ka kaluar për gjykim.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej datës 10 shkurt 2025. Ai akuzohet për përfshirje në disa raste korrupsioni, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe me disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.