U shty për më 19 janar seanca e radhës në GJKKO për kryebashkiakun Erion Veliaj, për kalimin ose për gjykim të çështjes. Shkak u bë mosshoqërimi i Veliajt nga qendra e paraburgimit në Durrës dhe jo refuzimi i tij për të qenë prezent, por moskoordinimi i burgjeve për të mundësuar shoqërimin.
Furgoni i Drejtorisë së Burgjeve u paraqit në paraburgimin e Durrësit në orën 08:55 teksa seanca fillonte më 09:00. Veliaj ka komunikuar me avokatin Maks Haxhia për ta vënë në dijeni, ndërkohë që edhe nga ana e prokurorëve është cilësuar “jo serioze” vonesa për ta shoqëruar për në seancë. Tjetër shkak për shtyrjen u bë edhe mungesa e mbrojtësve ligjorë.
Erion Veliaj ka kërkuar nga gjykata sigurimin e kushteve për t’u njohur fizikisht me dosjen hetimore prej afro 60 mijë faqesh. Kësaj kërkese, GJKKO-ja iu përgjigj se avokatëve të kryebashkiakut i është vënë në dispozicion USB-ja me dosjen hetimore, por Veliaj thotë se nuk mund ta lexojë, pasi në qeli nuk lejohen pajisjet elektronike.
SPAK-u e akuzon Veliajn për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv e shpërdorim detyre, akuza që kryebashkiaku i Tiranës i mohon, ndërsa procesin e ka vlerësuar të pabazuar në prova.