Jemi disa ditë pas ndërrimit të viteve dhe duke kthyer kokën prapa, kuptojmë sa shpejt ka vrapuar koha. Mirëpo, brenda një viti mund të ndryshojnë shumë gjëra; imagjino, edhe sekondat janë vendimtare për rrjedhën e ngjarjeve. Ndaj për muzikën, viti paraardhës ishte…i çuditshëm, por spektakolar në magjinë e vet.
Nëse do ia bashkangjisja 2024-ën si kryefjalë një dimensioni të muzikës kësaj here, ndoshta do t’i thyeja rregullat e sintaksës së gjuhës shqipe. Gjithsesi, po e nis me artistët më në zë të vitit.
Ky vit ka qenë më i bukuri për këngëtare si Sabrina Carpenter dhe Chappell Roan—dy emra që pushtuan emrat e çdo portali të njohur në botë për muaj me radhë, e po ashtu edhe klasifikimet botërore të muzikës. Emra të tjerë si Eminem, GloRilla, Lady Gaga dhe Bruno Mars kanë bërë namin me rikthimet e tyre të fuqishme duke rivendosur reputacionin e tyre në skenë.
Albumet u kthyen në epiqendrën e muzikës, duke marrë një vëmendje të lartë së bashku me vlerësime të panumërta: ndër to, arrijmë të përmendim “The Tortured Poets Department” nga Taylor Swift, “Hit me Hard and Soft” nga Billie Eilish, “Cowboy Carter” nga Beyonce, “Eternal Sunshine” nga Ariana Grande, “brat” nga Charli XCX, “GNX” nga Kendrick Lamar, “Moon Music” nga Coldplay dhe prej artisteve të lartpërmendura, respektivisht albumet “Short ‘n Sweet” nga Sabrina dhe “The Rise and Fall of a Midwest Princess” nga Chappell. Padyshim që shumë e më shumë albume janë publikuar përgjatë këtij viti, por këta kanë qenë ndër më të suksesshmit dhe të plejuarit.
Sa i takon zhanrit që mban fronin, nuk mund të themi që ishte vetëm një që kryesoi. Në çdo periudhë të vitit apo edhe shtete të ndryshme të botës me klasifikimet e tyre përkatëse, një zhanër i ndryshëm dominonte herë pas here. Sidoqoftë, një grup disi më i përqëndruar mbart peshën më të madhe: e fillojmë me rrymën afrobeat. Artistë si Tyla, Wizkid, Omah Lay, Ayra Starr, Rema dhe Asake na krijojnë një ide të këngëve më të suksesshme të këtij zhanri. Në peisazhin e muzikës ishte edhe rryma house që qëndron më e fortë se kurrë: ishin DJ si Hugel, Adam Port dhe Keinemusik që i dhanë një frymë të re vitit që lamë pas.
Hip-hopi rimori një dinamikë që i kishte munguar prej vitesh; dy sherret më të mëdha midis reperëve më popullorë të 2020-tave, patën momentin e tyre. Flasim pikërisht për sherrin e bujshëm e Megan Thee Stallion dhe Nicki Minaj, e më pas atë të papriturin e Drake dhe Kendrick Lamar. Teksa të dyja përleshjet virtuale ishin të ndërtuara mbi tema dhe faktorë tërësisht personalë, në pikëpamjen muzikore këta katër artistë u nxitën të publikonin projekte të fuqishme. Kjo në mënyrë që, jo vetëm të pasuronin diskografinë, por edhe të zgjidhej një triumfues në mënyrë krejtësisht natyrale. Të ishin këngë aq tronditëse, me mesazhe aq thumbuese, sa të shpalleshin fitimtarë vetëvetiu. Kjo ndodhi në mënyrë të padiskutueshme me Kendrick Lamar, pavarësisht se Drake gjithashtu arriti të godiste aty ku dhimbte më shumë. “Not Like Us”, kënga diss që u bë më se e njohur në platformat e rrjeteve sociale, theu rekordin e këngës që mbajti vendin e parë më gjatë në Hot Rap Songs Chart për Billboard, me 21 javë të njëpasnjëshme në krye.
Nga ana tjetër, përplasja Megan-Nicki nuk pati nje fituese të përcaktuar pasi të dyja këngëtaret arritën njëfarë fitoreje — ndoshta disi më shumë për Megan, për shkak të faktit që një repere me më pak vite karrierë si ajo,
“shkundi” themelet e një personazhi si Nicki Minaj. “Hiss” debutoi në vend të parë në Billboard Hot 100 dhe Billboard Global 200, duke e bërë atë reperen e parë vajzë që ka hyrje të re në krye të klasifikimit. Ndërsa “Big Foot” e Minaj theu rekorde të ditës së parë në historinë e Apple Music për pozicionimin më të lartë të një debuti nga një repere vajzë për një këngë solo. Krahas kësaj, projekti mori vlerësimin si debuti më i madh i këngëve solo nga një artiste vajzë në rap. Jemi në një situatë fitore-fitore nga aspekti muzikor.
2024 ka qenë një vit që dukej sikur nuk do të mbaronte — edhe për shkak të turneve. Përmendje e veçantë: turnetë në Las Vegas dhe Mynih nga Adele.
Patjetër që “çmimi” për turneun më të suksesshëm të vitit të kaluar, i shkon Taylor Swift për “Eras”, një turne me më shumë se 10 milionë pjesëmarrës në dy vite me 149 shfaqje. Ai gjeneroi mbi 2 miliardë dollarë shitje biletash, duke u bërë turneu me shitjet më të mëdha në histori. Në vend të dytë të kësaj kategorie do të gjenim Coldplay, të cilët përgjatë këtij viti kanë dhuruar një pjesë të shitjeve të biletave për bamirësi në kuadër të ndihmës për bare dhe ambiente të vogla, që promovojnë muzikantë nëpërmjet koncerteve të përmasave mesatare. Edhe pse ende nuk ka përfunduar, ai ka arritur rekordin e turneut me frekuentim më të lartë në histori. Vendin e dytë e mban pas Taylor për gjenerim shitjesh, me një shifër prej 1.14 miliardë dollarësh përgjatë 175 shfaqjesh.
Meqë i dhashë rëndësi edhe koncerteve të Adele, shfaqjet rezidenciale në Las Vegas (po, po, ato shfaqjet që qau me Celine Dion) dhe në Mynih ishin përvoja që kush pati mundësinë t’i përjetonte nga afër, mund ta konsiderojë veten me fat. Përveç talentit të saj të palëkundshëm dhe timbrit shumëngjyrësh që ka, londinezja është edhe hokatare nga natyra. Çaste për të qeshur e thyer disi seriozitetin e një koncerti nuk mungonin aspak, përkundrazi ajo arriti t’i ekzekutonte më së miri. Kujt mund t’ia merrte mendja se Adele ka patur një karrierë dëm për komediane?!
E bukura e muzikës është që, e ka një pikënisje, por asnjëherë nuk mund të gjesh një përfundim mbi diapazonin që shtrihet. Në tërësinë e tij, ky vit ishte befasues për të pasi na prezantoi me dinamika të reja të këtij lloj arti. Për momentin, artistët ende nuk janë hedhur në veprim për 2025-ën, megjithatë pritshmëritë janë të larta. A do jenë në gjendje t’i përmbushin, apo do t’i tejkalojnë frikshëm?