Aktualitet

21 Janari/ Ja fletëthirrja e Berishës në SPAK!

Top Channel ka siguruar fletëthirrjen e kreut të PD, Sali Berisha në SPAK për dosjen e ‘21 janarit’.

Burime për gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, thonë se Berisha është njoftuar të paraqitet të premten në orën 10:00.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu ka siguruar dokumentin e fletëthirrjes, ku ndër të tjera thuhet “Për nevoja të hetimit, me urdhrin e datës 03.11.2025 “Për thirrjen e shtetasit”, është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha.

LEXO EDHE: Kosova nxorri rezultatin në kohë rekord, Celibashi: Pa ligj të ri elektoral, këtë përfundim do kemi!

Shtetasi i sipërpërmendur thirret për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr.138 të vitit 2024, konkretisht për ngjarjen e datës 21 janar 2011”.

Berisha ka mbajtur postin e kryeministrit gjatë demonstratës së 21 janarit 2011, kur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën disa të tjerë.

Më herët për 21 Janarin u paraqit në SPAK Lulzim Basha, i cili ishte Ministri i Brendshëm në detyrë në 21 janar 2011.