26 vjet nga Dita e Çlirimit të Kosovës dhe Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani thekson se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë, “në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”.
Në Facebook, Osmani shkroi se pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.
Kosova e lirë, përjetë krenare!
Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.
Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.
Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.
Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!
Në një tjetër zhvillim, dje Komuna e Prishtinës mbajti seancë solemne me rastin e përvjetorit të Ditës së Çlirimit të kryeqytetit. Kryetari Përparim Rama:
Sot me 11 qershor, ndalemi për të kujtuar një nga momentet më të rëndësishme të historisë tonë, ditën kur Prishtina u çlirua. 11 qershori 1999 shënoi fundin e një okupimi shekullor dhe ishte dita e një fillimi të ri, ku fjalët liri dhe pavarësi nuk ishin më të ndaluara.Nuk mund të mos përmendim sot në këtë ditë presidentin, Ibrahim Rugova i cili ishte rezistencë paqësore e shtetit dhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin i cili me flijimin e vet dhe të tërë familjes e vulosi përfundimisht të drejtën tonë për liri.